Le të mos jemi një dimensional!



Sepse jeta nuk është bërë për t’u shijuar në një dimension.

Të jesh e bukur ose e zgjuar? Klasike ose sportive? Shkencëtare apo filozofe? Unë them që në vend të “ose” të vendosim “DHE”. Sepse jeta nuk është bërë për t’u shijuar në një dimension. 

Pikërisht kjo ka qenë një ndër pak gjërat që gjithnjë më ka bezdisur teksa rritesha (apo teksa rritem si i bie?). Shoqëria gjithnjë ka tendencën të të vendosë kushte ose të të thotë që nëse do të jesh e mirë në dicka, nëse e do vërtetë, duhet të fokusohesh vetëm tek ajo. Duhet të bësh vetëm 1 gjë, të jesh vetëm 1 gjë, nëse hallakatesh sa këtej andej nuk e njeh veten akoma, vazhdo kërko...Këtë besojeni vetëm me 1 prill. 

Kam kaluar orë dhe ditë dhe muaj të tërë duke menduar cila ishte “gjëja ime” dhe mërzitesha që nuk e përkufizoja dot veten me 150 karakteret e bios në Instagram. Por plot twist: e gjeta cila ishte gjëja ime: të shijoja jetën në shumë dimensione dhe të isha vetë një jetë me shumë dimensione. Kuptova që mund të vazhdoja të bëja të gjitha gjërat që më jepnin frymë lirie dhe kënaqësie dhe kjo s’kishte fare të bënte me sa e njoh unë veten(plus që unë jam me teorinë se në fund të ditës nuk ka një “vete” për tu njohur, ka një “vete” për t’u krijuar, po kjo është temë tjetër). Se unë nuk mund të isha unë vetëm me orët e gjata të punës, pa shpirtin e festës. Po nuk mund të isha unë as vetëm e shfrenuar, pa patur në vijë të gjitha qëllimet që i kam vënë vetes.  

Nuk dua ta bëj këtë shkrim të fokusuar në 1 milon gjërat që unë bëj dhe jam, ata që më njohin e dinë që unë do jem gjithmonë një kameleon. Jam e sigurt që e gjitha kjo vlen dhe për ty, cilado qofshin gjërat që do të bësh sot, nesër, gjithmonë. Do jetë përherë  dikush që do mendojë për ty se ti je një nerd që merr vetëm 10-ta dhe shumë i mërzitshëm. Dikush tjetër do të mendojë si ëndërrimtare budallaqe që emocionohet me gjëra të vogla. Dikush do të mendojë si të pacipë se kërcen për qejfin tënd në club apo hedh foto me bikini në plazh. Dikush e dikush e dikush që në fund bëjnë një askush. Ndoshta unë nuk di të them shumë për ta, por nëse e përkufizon dikë dhe e gjykon vetëm nga një situatë/ një anë e tij, një gjë është e sigurtë që je: shumë i cekët.  

Kështu që mos e kufizoni veten. Mund të bëni 100 gjëra dhe t’i bëni të gjitha shkëlqyer. Merrini të gjitha këta kokrrat e shoqërisë, futuni në një dhomë dhe lërini të zihen se cili version i tyre je vërtet ti. Ndërkohë që ti je duke shijuar veten në dimensione me aq ngjyra që ata që janë “color blind” s’do e kuptojnë kurrë.  

P.s dhe bion në instagram e kam gjetur, le të themi që është kombinim i kënaqshëm.
          
                                                                                                                        ©lifewithanablog.com

0 comments:

Post a Comment