Një udhëtim në Wroclaw, qytetin e xhuxhave!


Qyteti numër 1. Gati? Shkojmë.
Ja ku jemi, unë sërish në Tiranë dhe unë sërish në blog, këtë herë me një rubrikë të re dedikuar tërësisht udhëtimeve. Të gjithë i kemi parasysh ato kërkimet e gjata para se të nisemi për të eksploruar një qytet të ri, ku duam të dimë vendet më të bukura për të vizituar në pak kohë, ku të hamë, ku të rrimë, ose dhe si ta bëjmë qëndrimin tonë sa më ekonomik. Ndonëse unë dhe udhëtimet vetëm sa kemi filluar, mendova që sugjerimet e mia “hyjnë në punë”, sidomos për ata që duan të udhëtojnë në Poloni.
Dhe i pari është pikërisht qyteti im i preferuar i Polonisë (deri tani): Wroclaw. Shqiptojeni si të doni se unë sado u përpoqa asnjëherë nuk thashë asnjë emër tamam në polonisht.

Wroclaw do e mbani mend si qytetin e xhuxhave, pasi ka më shumë se 350 statuja të vogla 20-30 cm që janë gjëja më e bukur ever! Mund ta ktheni në “sfidë” që të gjeni sa më shumë të tillë (ka dhe një aplikacion si hartë ku ndodhen, “Wroclaw Dwarves Go” por është vetëm për Android), dhe rrjedhimisht shihni më shumë edhe qytetin. Unë gjeta më shumë se 50 në 3 ditë. Historia e tyre ka nisur si fillim si simbol i lëvizjes anti-komuniste në Poloni, e më pas u përqafua si traditë nga vetë bashkia, por dhe nga bizneset.
©lifewithanablog
Sa ditë? 3
Ku të qëndroni? Dukes Hostel and Apartments, një shërbim klienti shumë i mirë, dhoma të pastra për 1-6 persona, vendndodhje shumë afër qendrës (5 min me këmbë) dhe çmime që nga 800 lekë nata/person.
Një ndër monumentet që do ju tërheqi vëmendjen teksa hyni në qytet është ai i “An Anonymous Passersby” me 14 persona që duket sikur zhduken në tokë, e më pas shfaqen sërish në anën tjetër. Mendohet të jetë një memorial për njerëzit që u vranë ose u shpallën të humbur gjatë periudhës së ligjit ushtarak në Poloni në vitet 1980.


©lifewithanablog
Qendrat e vjetra mesjetare të qyteteve (Rynek) janë gjithmonë një must për t’u parë e vizituar. Dhe nëse keni mundësi, vizitojeni në periudhën e Krishtlindjeve në dhjetor, ku “panairi” në të është cilësuar si një ndër më të bukurit në Europë. Mos harroni të pini verë(ose çaj, your choice) në një çizme-filxhan, që mund ta merrni më pas me vete si suvenir.
Aty pranë, përpara se të arrini në oborrin e Kishës Katolike St. Elisabeth, me siguri në hyrje do vini re një strukturë 500 vjeçare që vendasit e quajnë “Jaś i Małgosia” ose Hansel dhe Gretel. Ka shumë legjenda urbane për të, por harku lidhës ngjason me një çift që shtrëngon duart.
©lifewithanablog
Shkurtimisht, çfarë mund të vizitoni tjetër është ishulli Ostrow Tumski, mbi degët e lumit Oder dhe nëse jeni në sezonin e pranverë-verë mund të keni fatin dhe të shihni shfaqjen e dritave.
Gjithashtu, në të njëjtën zonë keni dhe katedralen Katolike të St. John the Baptist, më tej universitetin e qytetit ndërtuar që në 1702. Ah dhe nëse aty pranë, ju tërheq vëmendjen statuja e një burri të zhveshur që e mbajnë në shpatulla dy gra, feministja brenda meje jua shpjegon. Legjenda e “The Naked Swordsman” thotë që në një natë i dehur, humbi gjithë pasurinë në bixhoz përfshirë dhe rrobat(shpatën e mbajti si simbol fisnikërie). Dhe për këtë, ai u muros si një paralajmërim për studentët e tjerë. Si dhe mund të ringjallej vetëm nëse një vajzë e virgjër diplomohej nga universiteti me një diplomë masteri. Por kjo histori ka që në 1904, kështu që shpresojmë askush të mos besojë më në kësilloj ringjalljesh.
Photo source: https://www.inyourpocket.com/
I fundit, por ndoshta i dyti për nga rëndësia (pas xhuxhave sigurisht) është kopshti zoologjik, që për nga numri i specieve është i treti më i madhi në botë. Bileta e hyrjes është rreth 1500 lekë, (ose 1200 lekë për studentët/ose për një familje me dy prindër dhe deri në 3 fëmijë është rreth 4600 lekë). Ju sugjeroj të shkarkoni aplikacionin që ju ndihmon shumë me orientimin për tek kafshët tuaja të preferuara, dhe përgatituni sepse ju duhen disa orë të mira. Do gjeni Afrikariumin, që është i vetmi “oceanarium” që fokusohet vetëm në faunën e Afrikës, një Madagaskar pinguinësh, apo dhe specie nga më të rrallat e ekzotiket.
©lifewithanablog
Dhe voila, ky ishte itinerari im modest i tre ditëve, pasi gjithnjë do jem ajo “turistja” që ndoshta nuk viziton 30 atraksione në një ditë, por tek ato që shkon i merr të gjithë esencën. Nëse dhe ju keni qenë në Wroclaw, dhe keni një sugjerim tjetër për të shtuar, ndajeni me një foto në rrjetet sociale me hashtagun #lifewithanablog ose më bëni tag. P.s foto të shumta nga udhëtimet e mia i gjeni në Instagram Stories Highlights.
©lifewithanablog
Cover Photo Source: https://www.worldtravelguide.net/

0 comments:

Post a Comment