Kur mos më duash më…




...a do gjesh guximin të ma thuash?

Sikur në jetë të kishte dashuri të përjetshme do ishim kaq të lumtur (ose do ishte shumë e mërzitshme), por ja që një mëngjes do zgjohesh e do kuptosh që nuk më dashuron më. Do kesh një ndjenjë sido të duash ta quash, por jo dashuri.

E atëherë…

A do më puthësh sytë çdo mëngjes teksa dielli na ndriçon fytyrat?
A do më dëgjosh teksa të tregoj ëndrrat e çuditshme që pashë e të të shoh si të qeshin sytë?
A do bëhesh gjithnjë vonë e të harrosh të më dhurosh puthjen e fundit?

Kur mos më duash më, a do gjesh guximin të ma thuash? Apo do largohesh pa bërë zhurmë duke mos më dhënë asnjë shpjegim?

Kur mos më duash më, a do harrosh që ke dikë që të pret e do të presë dhe kur tsunami i fundit të përplasë dallgët në breg?
Kur mos më duash më, a do shkojmë në vendin tonë të preferuar, ku shihemi në sy lirisht?
Kur mos më duash më, vallë gjithçka do ndryshojë sikur asnjëherë mos të kishte vlerë?

Kur ajo ditë që aq shumë i trembesh të vijë, a do dish ku të përplasesh? A do gjesh dot dikë tjetër që nuk do të bëjë shumë pyetje, por do të kuptojë po aq sa ti veten? A do gjesh dikë që t’i shtrëngosh dorën kur ke frikë? Kur mos më duash më, a do dish t’i shijosh momentet njësoj?

Kur mos më duash më, a do e provojmë sërish? Edhe një herë?
©lifewithanablog

0 comments:

Post a Comment