Sot bëj shumë gabime! Pse jo?


Fundja, who cares?


Jemi mësuar me një format jetese ku kemi një listë gjërash që duhen bërë që te jemi të lumtur e një listë tjetër me gabime të rënda që kurrsesi nuk duhet të na shkojnë as në mendje. Dhe mundohemi të gjithë t’i qëndrojmë besnik këtyre përkufizimeve që nuk e dimë as si lindën e as shpjegim nuk kanë.  Pyetja më e vështirë që mund t’i bësh dikujt është “Pse jo?”

Por pse jo, vërtet?

Nuk ka gjëra të duhura e të gabuara. Bëj të gjitha “gabimet” që të duhen për të arritur nivelin  e paqes që vjen kur dimë se nuk kemi asgjë të papërfunduar në zemër apo në mendje. Gabimet e shumta të një “budallaqeje joracionale” më kanë mësuar që çfarëdo qoftë ajo gjëja brenda nesh, ka rrugën e vetë që duhet ta ndjekë për të mos pasur një “po sikur” që nuk të lë të qetë.

Dhe është e vërtetë që njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë fjalinë “e di që është gabim, por më duhet ta bëj”. Është e vërtetuar që asgjë nuk e kuptojmë dot nëse nuk e përjetojmë vetë ne. Dikush e merr esencën duke parë eksperiencat e të tjerëve, dikush digjet njëherë dhe e merr mësimin, të tjerëve i duhen mijëra herë. Ç’rëndësi ka në fund të fundit? Rëndësi ka që nuk ke asgjë për të cilën thua “ah sikur ta kisha bërë” kur kthen kokën pas. (Më mirë një “oops I did it again” më besoni)

Thënë kjo, sot ju them bëni gabimet që mendja e zemra jua kërkon prej kohësh. Ato e dinë çfarë duan dhe e dinë arsyen e vërtetë. Pranojeni atë punën apo eksperiencën e re që ju frikëson, thuajini për të 700 herë atij personit gjërat që të kalojnë në mendje, kërkoji dikujt falje edhe pse nga askundi, thjesht lëri gjërat që nuk të pëlqejnë. Kur mendon se cila është më e keqja që mund të ndodhë, kupton që nuk ka diçka aq të keqe që mund të ndodhë. Thjesht do bësh një gjumë të qetë, duke ditur që nuk ka më gjëra të pathëna apo të pabëra.

Dhe hiqe nga mendjen përgjigjen, lëre krenarinë. Nuk ka rëndësi. Është eksperienca jote që po e bën për veten tënde, dhe kjo nuk ndikohet nga reagimi i njerëzve. Fundja, who cares?

Kur t’ju them që më lini të gaboj, besomëni: e di çfarë po bëj. Është gjëja më e zgjuar që kam bërë ndonjëherë.
©lifewithanablog 

0 comments:

Post a Comment