Një kryevepër si e jona




Një ndjenjë që njerëzit e quajnë dashuri, por kur më përfshin është aq e madhe sa nuk mund të qëndrojë në mes shkronjash.

 Edhe teksa thuhet që koha shëron, është aty në ajër, po prapë mungon. Dikush më tha që të jesh i rritur do të thotë të ecësh vetëm me kujtimet, por pa praninë. Eh sa jam rritur…

Mendoj për ty, dhe më duket vetja delusionale në ato momente. Shoh rrotull dhe asgjë s’më duket e vërtetë. Ndaloj, marr frymë por nuk mbushem. Fëmijët vrapojnë, lulet çelin, era fryn dhe bota rrotullohet. Po udhëtimi im është vetëm me kujtimet e tua, një çast me sytë mbyllur. Por vazhdoj sërish, eci për në një realitet që s’e di a e dua kështu.

Minutat kanë kaluar dhe ekzistenca të kushtëzon të mësohesh me të sido që të jetë. Kalon në atë cepin e përhershëm ku ke një jetë që lutesh ta shohësh, të të kaplojë shikimi i tij dhe të ndjesh. Të jesh dhe ti pjesë e botës, se veç me të ndiheshe e tillë. Veç kur i përkisje atij,veç kur buzëqeshja të vinte nga shpirti. Por jo, minutat dhe ditët kalojnë dhe ka vetëm heshtje. Heshtje që të shurdhon, pasi gjithnjë ishte mësuar me gjallërinë e dashurisë.

E dje, dje ndodhi dhe sigurisht që vetja më surprizoi sërish. Zgjohesh në mëngjes me atë lëmshin në fyt, e vetmja gjë që ndien së fundmi.

Aty, në cepin e përhershëm që për një moment të kapi të papërgatitur.

Ai, e gjithë drita në një fragment sekonde.

Mornica ndjen të të pushtojnë, dhe nuk di se çfarë po të ndodh. Vetëm fryma të merret dhe shpejton hapat, vrapon larg një forme njerëzore tek i cili shihje jetën. Vrapon mes rrugëve të një qyteti që gjithnjë të ka ngushëlluar në dëshpërim, por jo tani. Mbyll sytë se nuk do të shohësh, frymëmarrjen ndalon që mos të përthithësh asgjë, trupin nuk do ta ndjesh nëse në të nuk është prekja e tij.

Vrapon se mjaftoi një moment që e kërkove gjithnjë, por tani ju largove. Lotët të rrjedhin se ndjen që të ndjekin pas të gjithë përjetimet që zgjasin pak, një shikim dyshues, një puthje që shijen ja harron, një buzëqeshje kur botën e gjen në dy krahë,të bërit njësh me dikë, të humbësh veten.

Ç’ishim e ç’u bëmë, kurrë nuk deshe t’ja dish. U braktisëm, ashtu siç ne dimë, duke i dhuruar njëri-tjetrit gjithçka që s’dimë ta zëvëndësojmë e as ta harrojmë.

Por do e ndiej e do e krahasoj me rrezen e parë të pranverës, një fëmijë që botën e ka të tijën, me flladin që të thotë se çdo gjë do jetë mirë, me valët e detit që qëndrojnë veç pak.

Por dyshoj ta gjej në një person.

E sa herë të më pyesin pse më merret fryma rastësisht, do ngatërroj fjalë ç’të mundem e ty nuk do të të shpjegoj dot.

Nëse kjo është dashuri, di që nuk është shkruar asnjë kryevepër që të ngjajë me tonën.

0 comments:

Post a Comment