Ankthi- një udhëtim i shkurtër



Të flasësh apo të shkruash për ankthin nuk është asnjëherë e lehtë, aq më tepër kur vjen nga një eksperiencë personale. Por gjithnjë gjërat më të vështira janë ato që duhen, për të qenë pranë njerëzve që ndihen në të njëjtën mënyrë, por nuk kanë zë të kërkojnë ndihmë. E parë nga aspekti psikologjik mjekësor…
Ankthi është i pranishëm në jetën e gjithkujt prej nesh, qoftë kjo në periudha të vështira apo në përditshmëri si një reagim të panjohurës. Dhe është i dobishëm. Por kthehet në çrregullim në momentin që zgjat për periudha të gjata kohe dhe është i pranishëm vazhdimisht, ndonjëherë dhe pa shkak. Prandaj ju lutem, mos e përdorni shqetësimin normal të ditës duke e etiketuar me “vuaj nga ankthi”, sepse çdo person që realisht ka këtë çrregullim ndihet 10x më keq.
Simptomat fillojnë që nga nervozizmi, rrahje të shpejta zemra, shpeshtim të frymëmarrjes, djersitje, dridhje, vështirësi në përqëndrim, vështirësi në gjumë. Njerëzit me ankth kanë vështirësi të kontrollojnë ndjenjat e shqetësimit dhe vazhdimisht shmangin aktivitete të caktuara që mund t’i shkaktojnë ankth.  Ka lloje të ndryshme të ankthit, për të cilat mund të mësoni me një kërkim të thjeshtë në internet.
E parë nga aspekti personal…
Momentet e para që e kuptova se mund të kisha nivele të ankthit më të larta se normalja dhe kur më pengonte në përditshmëri mund të them se ka qenë 6 muaj më parë. Edhe pse më parë mund të kaloja ditë të tëra në shtëpi duke u qetësuar, apo thjesht duke mos bërë asgjë si shumica e njerëzve, tashmë dhe thjesht disa orë kthehen në të pamundura. Ke vazhdimisht një ndjenjë të “restlessness” që të duket sikur duhet të jesh diku, duke bërë diçka por nuk e mban mend, edhe kur realisht nuk ke asgjë për të bërë.
Nëse vuan nga ankthi dhe i di mirë arsyet pse të shkaktohet, mund të themi se je në rrugën e duhur për ta zgjidhur. Por zakonisht, nuk jemi aq me fat. Edhe kur çdo gjë shkon shumë mirë, kur ke bërë listat e gjata me analizat për jetën dhe ke arritur 90% të qëllimeve që i kishe vënë vetes, kur je përshtatur, ankthin e gjen dhe në veprimet e rutinës.
Nëse sheh një mik tëndin që e di që ka probleme me ankthin, dhe kur jeni në mes të një feste ku po kënaqemi dhe ai shpërthen në lotë, ju lutem mos e pyesni çfarë ke dhe mos u ofendoni duke menduar se nuk po kënaqet. Nuk ka të bëjë aspak me ju, mund të jetë duke kaluar kohën më të mirë derisa e kap një krizë ankthi për aryse të panjohura dhe nga vetë ai, dhe ndjen që ka vështirësi në frymëmarrje, shpeshtim të rrahjeve të zemrës dhe nuk di çfarë të bëjë tjetër përveçse të marrë frymë dhe të presë të kalojë. Qëndrojini pranë, e vlerëson pafund.
Kur shihni dikë që planifikon diçka me detaje, mos e shihni shtrembër. Është e vetmja mënyrë që të ndihet të paktën i qetë me aq sa ka në dorë.
Ndodh në fakt që edhe planifikimi i rutinës të mos i bëjë punë. Edhe pse e di hapin e radhës, mendimi “po tani çfarë?” nuk parandalohet dot. Edhe kur je në punë/shkollë dhe afrohet orari i mbarimit, dhe e di që do shkosh në shtëpi NORMALISHT të çlodhesh dhe të shohësh serialin tënd të preferuar, mendja jote ndodh që ta perceptojë si diçka të pazakontë dhe mendimet “pse në shtëpi, si, a nuk duhet të kisha diçka tjetër” fillojnë të pushtojnë me shpejtësi marramendëse.
Momentet më të vështira dhe më të frikshme për çdokënd mund të them se janë ato kur një krizë ankthi të ndodh kur je vetëm në public. Të merret fryma, të errësohen sytë dhe ndodh të të bjerë dhe të fikët. Aq më tepër kur je vetëm, kur e ndien që po fillon të ndodh, frikësohesh dhe majde ja shton vetes ndjesinë negative.
Secili ka momentet dhe mënyrat e tij të përjetimit, dhe nuk është e lehtë të flasësh për to se ndonjëherë tingëllojnë qesharake kur i thua me zë të lartë, por janë të vërteta dhe të pakontrollueshme (ne fillime).
Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është që ankthi është i vërtetë, dhe është problematik. Nuk është diçka e romantizuar, por diçka që ka nevojë për trajtim. Mënyra më e mirë është takimi me një psikolog, por thelbësorja është puna e vazhdimtë me veten. Të kuptosh se çdo gjë do shkojë mirë, sepse ato janë thjesht mendime joracionale të tuat, të cilat me kalimin e kohës do mësosh t’i kontrollosh. T’i lësh vetes kohë për të ndjerë çdo emocion aq sa duhet, sepse shmangia nuk është zgjidhje. Por gjithnjë në mënyrë që mos të dalin jashtë kontrollit.
Dhe pse me shumë mundësi, kur flisni me të tjerët nuk ju japin dot një zgjidhje, bëjeni për të çliruar sadopak peshën sepse askush nuk ka pse ta përballojë i vetëm.
Dhe një këshillë: mbushja e ditës 24h me aktivitete nuk është aspak zgjidhja. Mendohet se të jesh “busy” të bën mos ta kesh mendjen aty, por nuk është zgjidhje. Këtë jua thotë dikush që javën e ardhshme ka vetëm 4 orë të lira gjithsej (si shumicën e javëve), por sërish bashkëjeton me ankthin.
Dhe për në fund, të bëhet ç’të bëhet. Për çdo situatë që po stresoheni, çfarëdo që të ndodhë do e gjeni një zgjidhje.
Shumë dashuri, dhe përzemërsi për të gjithë ju që jetoni me ankthin në qetësi, për çdo mik të mirë që gjendet pranë jush dhe për çdo person që është aty për ju.

0 comments:

Post a Comment