Hajde flasim për...


...dashurinë!

Hajde flasim për lumturinë dhe dashurinë dhe sa të lidhura janë këto të dyja me njëra-tjetrën. Flasim se si edhe nëse ke çdo gjë në jetë në rregull, asgjë nuk është e plotë pa atë copëzën e parajsës që të dhuron dikush tjetër.  Dashuria është përjetim sa abstrakt aq edhe konkret. Është aq abstakte sa ke frikë të flasësh për të në hapat e parë sepse nuk do të prishësh magjinë. Abstrakte, sepse nuk e sheh teksa vjen, por e ndjen vetëm kur të ka pushtuar të tërën. Abstrakte sepse duhet thjesht të besosh te bota e dikujt tjetër, sado e paimagjinueshme dhe e pasigurtë të jetë ajo. E njëkohësisht, është konkrete sepse është koha që dikush të kushton kur gjendet aty për ty. Është puthja e tij qe e ndjen në lëkurë, janë duart e tij që të mbërthejnë të gjithën. Fundja, dashuria është konkrete sepse ka marrë formën e një njeriu që të dhuron lumturinë me një shikim.
Kjo është dashuria, që na shkakton një mijë e një emocione dhe na rrotullon universin sa herë na kaplon. Mund të jetë e shumëllojshme, nga ato platoniket, nga ato që lindin për shokun e ngushtë apo ato që ashtu pa kuptim krijohen për një mashkull me të cilin kalove vetëm një natë. Të ndryshme, por secila me një vlerë të madhe dhe me një lumturi të ndryshme. Secila me një gjurmë dhe buzëqeshje të veçantë. Mos ki frikë t’i provosh dhe as mos u mundo të gjesh si e fundit që përjetove.
Lërë jetën dhe lumturinë të të trokasë. Sepse jeta nuk është bërë për t’u kaluar e vetme dhe pse një sasi të madhe të saj do na duhet të jemi të tillë. Kënaqu për atë që kishe e atë që të dhuroi. Lërë të largohet kur të vijë koha, sepse çdo gjë është e bukur për aq sa zgjat, jo për aq sa ti do ta stërmundosh.
Dashuro, në formën dhe mënyrën tënde. 
Por ama, gjithnjë me të gjithë qenien tënde.
©Lifewithanablog

0 comments:

Post a Comment