E dashur kohë, të urrej!


Po, të urrej...

Gjithmonë e kam urryer nocionin e kohës, sepse më bëhet një lëmsh në fyt kur mendoj sa e fuqishme është ajo, sa të pafuqishëm jemi ne ndaj saj. Ikën shumë shpejt ose zgjat në përjetësi. Momentet nuk janë më të tuat, por të kohës. Më shumë e ndiej atëherë kur koha ecën pa e kuptuar. E ndiej kur jam në krahët e tij dhe do doja të kisha përjetësinë. Por çfarë është përjetësia përpara kohës? Asgjë. çfarë janë ëndrrat përpara kohës? Asgjë. Prandaj i trembem si dreqi sekondave që bëjnë tik tak dhe shpeshtojnë rrahjet e zemrës sime. E urrej kur ato sekondat e jehonës së ambulancës zgjasin aq shumë. E urrej kur shoh njerëz që vrapojnë për kudo, sepse janë vonë. Po për jetën si i bëhet? Duke ndjekur kohën dhe minutat a do e shijojmë ndonjëherë atë? A do mundet që imazhi tashmë i turbullt të qartësohet dhe të na ushqejë shpirtin? Apo do kalojë dhe ai ashtu kalimthi pa e kuptuar si?

E urrej dhe kur arritjet tona diktohen nga koha, nga vitet. Nëse bota është e jona, pse duhet të kufizohemi për të marrë atë që duam?

Kam frikë nga koha, sepse nuk e di në dua të zgjasë apo të mbarojë. Kam frikë nga koha sepse na fut të gjithëve në një kornizë përjetimesh si kthetrat e djallit.

Kam frikë nga koha sepse në ka diçka më të fuqishme se jeta, është ajo.
©Lifewithanablog

0 comments:

Post a Comment