Unë jam ajo që gjithnjë ka shkruar për
dashurinë, në formën më të bukur e më të dhimbshme të saj.
Ajo që foli për
dashurinë pa e zbukuruar, por të thellë e reale. E tashmë ka kohë që të gjithë
më pyesin pse nuk flas e pse nuk shkruaj më për të. Dhe sot ja bëra me të
vërtetë këtë pyetje vetes, po për ty pse nuk kam shkruar? Nuk ka rëndësi
çfarë emri i vendosim asaj që kishim, pasi emërtimet kanë qenë gjithnjë për
gjërat e thjeshta për t’u shpjeguar. Dhe për ty, që në momentin e parë ka qenë
një “nuk e di pse”. Ishe një provë se të lesh pak në qetësi logjikën dhe
stërmendimet, është zgjedhja më e mirë që mund të bësh. Ndoqa zemrën apo
instiktin, apo çfarëdo ishte ajo që më shtyu të të zgjidhja.
“Njerëzit janë të përkohshëm e nuk ka pse t’ju
lëndojë ky fakt” lexova diku fill pas u larguam nga njëri-tjetri dhe në fakt,
ishte një fjali shumë e drejtë. Nuk është e thënë që të zgjasë një përjetësi
për të pasur vlerë. E në të njëjtën kohë, nuk ka pse të përfundojë me dyer të
thyera e me fotografi të grisura. Mund të vazhdojë të mbetet një person për të
cilin do të bëhet zemra mal kur ta shohësh, por të mos të të thyhet kur të
largohet.
Mjafton një marrëdhënie e tillë që të të bëjë
të besosh se njerëzit kanë frikë nga dashuria e madhe e filmave romantikë. Sepse
jeta nuk është një film dhe idealet e tilla janë gjithnjë të gabuara. Kur
ngjitesh shumë lart, rrjedhimisht rrëzohesh dhe kupton që nuk ka kush të të
presë. E pastaj fillon ta bësh veten të besojë se dashuria është e frikshme. Jo
zemër, dashuria nuk është e frikshme. Të frikshme janë majat që ndërtohen pa
shumë mend dhe me një besim të verbër në të ardhmen kur as vetë e ardhmja nuk
është e sigurt, jo më dashuria juaj.
Prandaj, më duket më bukur që tani e tutje të
flasim për dashurinë e një lloji të ri, dashurinë që shijon momentin pa e
menduar se çfarë ndodh më pas. Dashurinë apo çfarëdo qoftë ajo ndjenjë, që
është aty pa e kushtëzuar ekzistencën e saj me jetëgjatësinë e saj.
Nëse je me një person për sado pak, ashtu e
zhveshur… nga komplekset, frikërat, problemet më beso që të ndryshon dhe i jep
jetës një vlerë të paparë.
Vlerësoje dashurinë nga buzëqeshjet më të
sinqerta që jep.
©Lifewithanablog