Ambicia, e vetmja gjë që nuk duhet të të mungojë


 Si mund të jetosh në një botë kaq të bukur me njerëz që bëjnë vepra të mëdha dhe të mos inspirohesh të gjesh çelësin dhe tek vetja jote?

Unë i dua njerëzit dhe mundohem gjithnjë t’i kuptoj ata. Sepse çdokush vjen nga një vend ndryshe nga ne dhe ka bërë një udhëtim të ndryshëm nga ne. Kështu ai ka gjithnjë diçka për të na mësuar. Por ka disa gjëra të cilat nuk mundem t’i toleroj pavarësisht arsyeve të gjithë botës.

Dhe njëra prej tyre, që qëndron në krye të të tjerave, është mungesa e ambicies, të mos pasurit aspirata dhe qëllime për veten, dhe të mos investosh tek ajo që ti je. Të mos pasurit këto elemente nënkupton të jesh një parazit në një botë që ecën shumë shpejt, të jesh letargjik në një botë që ka nevojë për jetë.

Ambicia është thelbësore. Pa kaluar në kufijtë e ambicies së sëmurë, sepse normalisht pas saj fshihen miliona arsye të tjera. Por vetë në thelbin e saj, ambicia është një shtysë e fortë e brendshme për të bërë dhe për të arritur diçka. Kjo do të thotë të shfrytëzosh jetën, të marrësh diçka të sajën e të luftosh e jetosh për të.

T’i vendosësh vetes aspirata dhe qëllime do të thotë të marrësh përtej asaj që jeta të ofron në një pjatë të mbushur gjysmë. Sepse vetë jeta është për të zbuluar atë që ti do, për të krijuar versionin që ti do. Sepse jeta është ajo që ti ke në mendjen tënde, ajo që ti projekton, krijon dhe më pas shijon. Prandaj njerëzit pa ambicie dhe qëllime shohin veçse versionin bosh të botës që rrjedhimisht duhet të mbushej nga ata.

Si mund të hedhësh hapa diku pa ditur se ku do të arrish? Si mund të mos mendosh për veten dreqi e marrtë? Cilado qoftë arsyeja dhe ndikimi yt, rëndësi ka që t’i bën diçka për veten tënde. Si mund të jetosh në një botë kaq të bukur me njerëz që bëjnë vepra të mëdha dhe të mos inspirohesh të gjesh çelësin dhe tek vetja jote? Sepse të gjithë e kemi një, të gjithë jemi në këtë jetë për një arsye të cilën e zbulojmë dhe e finalizojmë vetë ne. Dhe nëse akoma nuk e ke zbuluar këtë tek vetja jote, është vetëm një shenjë që nuk ke investuar mjaftueshëm tek ajo.

Investimi më i mirë që mund të bësh në jetë është tek qenia jote, kaq unike dhe e veçantë. Eksploro botën dhe puno me veten. Provo eksperienca dhe kap mundësitë që të kuptosh se cfarë do me të vërtetë. Dhe kur ta gjesh, puno sërish për të. Puno, përsose, përmirësoje sërish. Mos prit shtysë nga njerëzit e tjerë apo bota e jashtme. Sepse bota është ajo që ti krijon.

 Bota buron nga ti, dhe nëse t’i nuk ke një ambicie dhe qëllim, bota ka mbaruar aty ku nisi.


0 comments:

Post a Comment