Një jetë me dilemën mendje apo shpirt...



 Një mendje që e kupton se pa shpirtin nuk bën dot

E di çfarë mendoj unë? Që mendja e shpirti janë një! Asnjëri nuk bën dot pa tjetrin dhe të dyja kanë gjetur strehë në një skelet njerëzor. Dhe kësaj strehe i kanë dhënë dhe dije për t’u ushqyer dhe zjarr për t’u ngrohur.

Ka netë kur shtëpisë i duhet pak ngrohtësi dhe nuk i intereson nëse barku i saj është bosh. Në këto netë ajo kthehet tek zemra,që di ta ledhatojë më së miri. Zemra e shpirti nuk njohin as arsye e as kufizime. Janë të lira njësoj si natyra e njeriut që sado të mundohet të frenohet, nuk bën dot pa ndjenjat. Dhe kur e lëmë veten të udhëhiqemi nga instiktet, shpesh jemi në rrugën e duhur në momentin që jetojmë. Sepse dashur pa dashur, tek shpirti do përplasemi, sepse ai e bën njeriun unik, ai e mban njeriun gjallë.

Po nga ana tjetër zjarri i shpirtit që na ngroh, mund dhe të na djegë dhe të hedhë përtokë të gjithë qenien tonë. E atëherë sado i madh të jetë zjarri që zemra tenton të ndezë sërish, tashmë që shtëpia është pa mure, pushtohet nga çdo erë e çdo furtunë. E nuk mbijeton dot kurrsesi.

Prandaj duhen dijet, sensi i të logjikuarit, fuqia objektive e vendimmarrjes. Që të mos lejojë çmendurinë e pasionit të bjerë pre e momentit. Që të shohi më larg në vizionin e jetës. Që të ndërtojë një bazë të qëndrueshme që asnjë furtunë e asnjë përmbytje nuk e shemb. Mendja qëndron e palëkundur, por gjithmonë kur është e shëndoshë. Një mendje që di dhe të kuptojë arsyet e zemrës që as ajo vetë s’di t’i shpjegojë. Një mendje që e kupton se pa shpirtin nuk bën dot, sepse çdo gjë kthehet në të zymtë. Dhe pastaj shiu nuk gjendet më jashtë mureve të skeletit njerëzor, por brenda tij.

Ja pse, dilema mendje apo shpirt do të jetë përherë në jetën tonë. Por gjithnjë përgjigjen e japim në bazë rrethanash e prioritetesh. Por gjithsesi në çdo udhëkryq dhe udhëtim të jetës, duhet vetëm diçka:

Një themel i fortë i mendjes mbi të cilën ndërtohet çiltërsia e shpirtit.

0 comments:

Post a Comment