Nje mesazh per vajzat


Jeni te gjitha te mrekullueshme dhe s'duhet te harroni sa vleni dhe sa shume meritoni. Keshtu qe...

Vajza të dashura!

Lërmëni t’ju them që nuk ju duhet asnjë njeri në jetën tuaj që s’dëshiron të qëndrojë aty. E di që është kjo ideja e shoqërisë që gjithnjë duhet një mashkull prezent. I kemi dëgjuar që 13 vjec nga më të mëdhenjtë “Hë mi të ka ngacmuar ndonjë? Si jo?! Po ti je një yll i bukur moj!” dhe sa më shumë rritesh pyetjet dhe cudia shtohet kur i thua se nuk ke askënd. Se domosdo sipas tyre ose duhet të jesh në një lidhje, ose duke kaluar fazën e depresionit pas ndarjes ose “single and ready to mingle” me 700 djem që të bëjnë të ndihesh në qendër të vëmendjes. Më beso që nuk ka asgjë te keqe për këto dhe se te gjithë i kalojmë si faza.

Por ajo që harrojmë të themi është se është në rregull të duash të jesh vetëm, të mos flasësh apo të mos dalësh me dikë. Është totalisht në rregull të duash kohë me veten dhe mos ta fokusosh vëmendjen tek meshkujt. Mbani dyert e hapura për cdo mundësi ,por mos u ndjeni të shtyra të përkisni diku apo dikujt, sepse në radhë të parë i përkisni vetes suaj. Mos stërmendoni pse eksperienca juaj e fundit shkoi keq, pse ai tjetri nuk të foli më apo si do të të gjykojë i radhës për të shkuarën. Nuk ka asgjë që nuk shkon me ju.

Mos e zvogëloni veten për të pasur një mashkull në jetën tuaj. Jini po aq të bukura, të zgjuara, të fuqishme, të cuditshme dhe të lodhshme sa jeni. Për aq kohë sa ju ndiheni mirë me atë cka jeni, po e bëni sic duhet. Dhe nëse dikush nuk e përballon dot dhe tju thotë se po e teproni
FLASH NEWS: Pikërisht ai person nuk ju duhet!

Njerëzit që duan të jenë në jetën tuaj do bëjnë cmos të jenë aty, ndërsa ata që nuk duan nuk mundeni t’i mbani me zor dhe mbi të gjitha nuk keni përse të doni t’i keni. Kur dikush nuk bën përpjekje për të qenë aty, mos e lusni.

Koha juaj është tepër e vyer për djem si ata. Për lojëra fjalësh vetëm që ata të argëtohen. Për gënjeshtra që ata të arrijnë qëllimet. Për ata që ju bëjnë të ndiheni sikur ishte faji juaj që ata u larguan. Për ata që mundohen t’ju kontrollojnë si visheni, si silleni, me kë dilni apo si kërceni. Mos bëni asgjë që ju nuk dëshironi, vetëm për hir të dikujt.

Dreqi e marrtë, e di që është e këndshmë të kesh qoftë dikë me të cilin të merresh dhe të kalosh kohën, por a ja vlejnë të lodhesh për këto më sipër dhe shumë të tjera? Definitivisht jo!!

Kështu që ndaloni së munduari të gjeni, të kapni e të mbani djem që janë shumë shkallë poshtë jush ose thjesht në rrugë ndryshe nga ju. Atyre u pëlqen pamja nga maja që kanë me ju, fundja kujt nuk do i pëlqente, por sic ndodh përherë nuk zgjat. Në maja u merret fryma dhe i duhet të rikthehen në nivelin e tyre bazik. Por mos guxoni të zbrisni vec për të qenë me ata, lërini me ato të tjerat që pretendojnë t’ju “zëvëndësojnë”.

Njihni njerëz të rinj sepse ka pafund. Ju gënjen mendja nëse mendoni se ai ishte i fundit dhe s’ka tjetër aq të mirë sa ai. Shijoni kohë të këndshme sepse cdokush ka dicka të mirë për të ofruar nga shoqëria e tij. Bëni cdo gje që dëshironi dhe mos e vrisni mendjen se cfarë thonë shoqëria.

Vetëm mos harroni dicka.:
Respekti që duhet të keni për veten tuaj është primar. Dhe askush, po askush, nuk ja vlen lotët apo mërzitjen tuaj nëse nuk mund ta pranojë këtë.
Respekti për veten, kaq!
Me shume pafund dashuri,
Ana. 

0 comments:

Post a Comment