Një mesazh për djemtë



Me besoni, nuk është nevoja t’i qëndroni të palëkundur imazhit që meshkujt e fortë janë si shkëmb që asgjë si prek. Sepse...

Të dashur djem,
E di që kohët e fundit mund të jetë dukur sikur gjithkush ju sulmon sepse kudo sheh lëvizje për femrat, fuqizimin e tyre dhe vëmendja është përqëndruar disi tek to. Por askush nuk po i hedh fajit askujt, dhe ju jeni po aq të rëndësishëm. Këtë lëvizje mos e shihni si kërcënim, por mbështeteni dhe jini të lumtur për të, për faktin që femrat dhe meshkujt do jenë sëbashku me mundësi të barabarta. Më thoni a nuk do donit pranë jush një femër të pavarur, të edukuar dhe po aq të fortë sa ju?

Por mos harroni që dhe ju jeni po aq të mrekullueshëm, të rëndësishëm dhe të njëjtat këshilla që atyre u përsëriten cdo ditë, vlejnë dhe për ju. Sepse para se të jeni meshkuj, jeni dhe ju njerëz humanë me ndjenja dhe mendime. Prandaj mos e mohoni veten duke i shtypur këto zhvillime brenda jush. Lëreni veten tuaj të ndiejë, të dashurojë, të lëndohet, të ketë ëndrra, të gabojë dhe të provojë sërish. Nuk është nevoja t’i qëndroni të palëkundur imazhit që meshkujt e fortë janë si shkëmb që asgjë si prek. Eshtë fuqia për t’u ringritur dhe për të pranuar gjërat sic janë që ju bën të fortë. Mos e lodhni veten duke pretenduar, por kaloni kohë me të. Është shumë e rëndësishme të kuptoni se kush jeni dhe cfarë doni me të vërtetë.

Zgjidhni shoqërinë me të cilën rrethoheni. Ata do ndikojne në një pjesë të madhe të formimit të karakterit tuaj, prandaj duhet të keni një standard të lartë. Mos u rrethoni me meshkuj të cekët e të papërfillshëm, që nuk i ofrojnë asgjë shoqërisë suaj, vetëm që të dukeni cool dhe në qendër të vëmendjes. Qëndroni larg stereotipeve sepse jeni më shumë se aq. Rrethohuni me njerëz që ju dëgjojnë cfare jeni e cfarë doni, ju mbështesin dhe ju duan më të mirën tuaj. Pak dhe saktë, jo vëllezër gjithë Bllokun.

Edukohuni, lexoni. Me këtë nënkuptoj hapni dritaret e botës dhe të mendjes suaj. Mundohuni realisht të njihni dhe të kuptoni cfare ndodh rreth jush sepse kjo do ju ndihmojë të krijoni veten që doni. Një mendje e mbyllur kufizon shumë, sidomos në zgjedhjet dhe jetën tuaj.

Mos bëni gjëra në jetë me qëllimin për të qenë mashkulli perfekt për një femër. Nuk është aspak përgjegjësia juaj të siguroni të ardhmen dhe për një femër, sepse ajo është e aftë t’i bëjë vetë. Mos u përpiqni të keni një punë të mirë dhe pasuri që t'i siguroni asaj luksin. Por punoni për gjërat që doni, që të arrini qëllimet që ju bëjnë të lumtur dhe jini ambicioz për veten tuaj. Mos shkoni në palestër që të dukeni tërheqës për një femër, por për veten tuaj. Një femër që pret që jeta e bukur t’i ofrohet nga ju, nuk është ajo që ju meritoni. Prandaj është e kotë të lodheni për to. Mbani pranë atë femër që përshtatet me botëkuptimin tuaj, një boss lady që të hidhni hapa sëbashku.

Mos u lodhni të bëni interesantin vetëm që t'i pëlqeni asaj. Jini vetvetja dhe nëse asaj si pëlqen, pse duhet ta vrisni mendjen. Meritoni dicka të dyanshme të vërtetë, jo një përrallë ku ju ndiqni atë sepse jeni mashkulli. S’ka më role gjinore, sepse përkushtimi duhet të jetë nga të dyja palët. Keni të drejtën të thoni cfarë kërkoni nga një marrëdhënie, por gjithnjë duke respektuar veten tuaj dhe partneren. Duhet të komunikoni që të jeni në të njëjtën linjë. Nuk ka asgjë të keqe të doni dicka për kënaqësi momentale, pa shume angazhim apo cfarëdo lloj gjëje tjetër. Dhe këtë mund ta gjeni tek femra që duan po të njëjtën gjë si ju. Thjesht thojani dhe komunikoni. Mos gënjeni kur nuk është e nevojshme. Nuk keni pse devijoni nga ajo cka jeni, vetëm për të pasur një femër që nuk do të njëjtën gjë si ju.
Ka kaq shumë gjëra, që ju dini t’i bëni më së miri kështu që mos u kufizoni me të qenit mashkulli i bukur që bën për vete cdo femër. Nuk rrotullohet bota juaj rreth të pasurit një partnere. Jini pak më tepër ekskluziv se aq.

Dedikojini kohë vetes suaj.
Me shumë dashuri sërish, Ana që do t’i shohi cunat e saj të shkëlqejnë sepse ata munden.

0 comments:

Post a Comment