Të zgjedhësh degën e universitetit




Shumë prej jush duhet të bëjnë zgjedhjet e gjimnazit, të tjerë degët e universitetit, të tjerë oferta pune. Por si? 

Çdo hap i jetës sonë është në dorën tonë. Pavarësisht atyre devijimeve që na bën fati, jemi ne ata që zgjedhim. Të jetosh momentin është mënyra sesi shijohet jeta, por ndonjëherë duhet të mendojmë për të ardhmen dhe atë që duam vërtet. Sidomos kur jemi pak më të rinj, këto zgjedhje duken të frikshme dhe të veshtira. Çdo fëmijë projekton atë imazhin e ëndërruar të të rriturit në të cilin ai do të shndërrohet dhe ecën në bazë të tij.

Përpara se si çdo shkrim tjetër i imi të kthehet në motivues, inspirues, këtë dua ta mbaj në kuadrin praktik. Shumë prej jush duhet të bëjnë zgjedhjet e gjimnazit, të tjerë degët e universitetit, të tjerë oferta pune. Nisur nga ajo situatë ku unë ndodhem si maturante, të zgjidhja se çfarë duhet/doja  të bëja nuk ishte dhe aq e lehtë. Si një njeri që planifikon çdo gjë dhe çdo detaj, dhe këtë proces të tejzgjatur e kam bërë me hapa, që do doja t’i ndaja me ju që ndoshta  t’ju ndihmoja sado pak.

Përpara se të nisni, merrni një letër dhe një laps, dhe fokusohuni. As celularin, as me mendje, LETËR DHE LAPS!

1. Përfytyroni punën/ jetën tuaj të ëndrrave.
Harroni ku ndodheni, çfarë mesatare keni, a keni vullnet etj etj. Nëse do ju vinte një zanë që t’ju plotësonte një dëshirë në këtë pjesë, cfarë do ëndërronit të bënit cdo ditë të jetës suaj? Pasi ta keni menduar, çliruar nga çdo kufizim, mendoni se cilat mund të jenë degët që ju ofrojnë sado pak njohuri për këtë profesion.

2. Listoni çdo degë të mundshme interesi.
Harrojeni për pak punën tuaj të ëndrrave. Listoni çdo degë që mund të keni të paktën 1% interes për të. Unë personalisht mund të kisha 20 duke filluar nga artet, te gazetaria, te shkenca, te inxhinieria dhe ishin kaq të ndryshme sa as vetë nuk bëja dot lidhjen. Por shkruajini gjithsesi. Madje edhe atë degën që ta ka sugjeruar zysha e fillores apo kushëriri i shtatë që pretendon se merr vesh goxha nga jeta.Mos harroni edhe endrrën e çdo prindi shqiptar, mjekësinë. Do eliminohen pak nga pak me hapat e tjerë.

3. Të pëlqejnë vërtet apo thjesht ideja?
Ju thashë që do iknin sugjerimet e familjarëve që kurrë si konsiderove.Mendo brutalisht një ditë në jetën e atij profesioni. Ndoshta kanë para, kanë famë, kanë art,kanë 2/3 apo pafund anë pozitive, por shiko dhe anët negative. Një profesion nuk është vetëm maja e karrierës, është e gjitha rruga. Mos ndoshta ështe thjesht imazhi që jepet për to që të pëlqen?
  
4. Aftësitë dhe potenciali personal i zhvillimit.
Të pëlqejnë, por a mund t’i bësh? Çdo profesion ka disa baza që janë domosdoshmëri dhe duhet të jesh realist dhe të kuptosh nëse ti vërtetë përputhesh me to. Këto mund të jenë aftësi apo cilësi të karakterit tënd. Psh.

Nëse do arkitekturën, por aftësitë e tua të vizatimit dhe durimi yt janë -100, hiq dorë që herët.

Por përmenda dhe potencial zhvillimi, sepse ti mund të mësosh të vizatosh,dhe të  bësh shumë gjëra të tjera, të cilat mungojnë për momentin thjesht nga mungesa e pervojës. Kështu eliminohen disa të tilla duke gjykuar mbi çfarë mundesh, çfarë nuk mundesh dhe çfarë mund të mësosh. Mbi të gjitha ji real me veten.

5. A mund ta ushtrosh vërtetë?
Ndonjëhere vendi në të cilin ndodhesh të kufizon shumë mundësi. Rasti i parë është të marrësh diplomën dhe mos të gjesh asnjë punë në atë pozicion. Teknikisht i bie 5 vite të shkuara dëm. Por është edhe rasti tjetër. Mendoje sikur mbarove shkollen shkëlqyeshëm, e gjete një punë dhe me të siguron jetesën. Por a e bën  mirfilltë atë profesion? Sepse të shkosh në zyrë, dhe të paguhesh për një titull, por realisht të mos e bësh atë në plotë kuptimin e tij, është në fakt një dështim. Të mos bësh asgjë tingëllon goxha këndshëm, por çdo njeri ka nevojë të bëjë diçka, të ndihet i nevojshëm për diçka në mënyrë që të ndihet i vlerësuar dhe i plotësuar.

Pa dashur të marr shembuj tepër real të degëve në Shqipëri për të mos ofenduar askënd, mund të themi se ka shumë të tilla që dhe unë personalisht mund t'i doja shumë, por s'do arrija kurrë ti bëja vërtetë.

6. Vendimi final për të cilin asnjëherë s’jemi të bindur
Me shumë mundësi nëse i ke bërë siç duhet hapat e mësipërm, tani duhet të të kenë ngelur vetëm shumë pak, ose ndoshta dhe 2 ose 1. Ndoshta ka mbetur ajo zgjedhja që e kishe vetëm 40% dëshirë , por ato që pëlqeje më shumë u eleminuan nga kriteret më sipër. Por është më e mira për ty.

 Lëri këto pak degë të fundit në analizë e sipër deri në momentin e zgjedhjes, dhe në atë moment, shko me atë që të thote zemra, sepse puna e mendjes më përpara të siguron që çfarëdo të zgjedhësh tani është e sigurt.Dhe gjithnjë në mendje ki hapin e 1.

Dhe mbi të gjitha, mos harro që mund të ndryshosh në çdo kohë. Nëse je në muajin e 5 të universitetit dhe kupton që ti nuk përket hiç aty, dreqin,  nise sërish vitin tjetër nga fillimi.( Ky planifikim synon ta shmangë këtë, por edhe më e keqja s’është dhe aq e keqe) Ndoshta s'është dhe aq lehtë të kuptosh pak vonë që ke bërë një zgjedhje jo tërësisht të duhur dhe t’ja nisësh nga e para, por është e mundur.

Mundohu të gjesh të bukurën në atë që bën dhe asnjëherë të mos dorëzohesh për ëndrrën që ke. Ndoshta e shtyn për pak më vonë, sepse rrethanat të atilla janë,

por të jesh racional në të njëjtën kohë me rrahjet e zemrës, të nxjerr shpesh të fituar.
Dëgjoni zërin tuaj të mendjes, përtej çdo ndikimi.
Besoni tek vetja juaj.


0 comments:

Post a Comment