Reputacioni dhe ne




Reputacioni… në dorën tonë apo NE në dorën e tij?

Reputacioni dhe rëndësia apo jo e tij mund të shihet në shumë sfera. Reputacioni janë ato mendime dhe ai imazh që të tjerët shohin dhe kanë krijuar për ty.

Gjëja e parë që duhet pasur parasysh është se karakteri ynë dhe reputacioni nuk janë e njëjta gjë. Eshtë një fat i madh që të ndodhi të përputhen, por karakteri është ajo çka ne jemi në të vërtetë, dhe jo ajo që shfaqim.

Së dyti, shpeshherë në një përqindje të madhe mund të themi se reputacioni ynë nuk është në duart tona. Ne mund të kontrollojmë sjelljet dhe veprimet tona, por ato mbeten gjithnjë të lira për interpretim sipas këndvështrimit të çdokujt.

Shumë kohë më parë reputacioni ishte një ndër gjërat që më shqetësonte më pak, në mos fare. Por me kalimin e kohës fillon kupton nëse për ty ka rëndësi me të vërtetë, çfarë roli ka dhe çfarë mund të bësh me të.

Dhe kupton se ka rëndësi. Ne jemi vazhdimisht në marrëdhënie me njerëzit që na rrethojnë në situata nga më të ndryshmet. Të gjithë kanë një mendim për ty që më pas kthehet në një opinion të masës. Dhe është pikërisht mënyra se si në punën tënde apo thjesht në përditshmëri, krijohet ai imazhi yt. Njerëzit që nuk të njohin, si fillim dëgjojnë diku për ty. Dhe është normale që ai të mbetet impresioni i tyre i parë deri në një moment tjetër. Pikërisht ky impresion i parë ndikon në mënyrën se si ai do të sillet me ty.

Por diçka që duhet kuptuar saktë është se ky nuk është vendimtar. Do njohësh njerëz të rinj që kanë dashur të shohin përtej asaj çka prezantohet në shesh. Por ideja është që një reputacion i mirë hap dyert më thjesht. Ndikon pozitivisht në mundësitë që ty të jepen, në shanset e para apo të dyta. Dhe kjo vetëm për arsyen që historia që tregohet për ty është premtuese për të ardhmen tënde që ti mund t'i ofrosh atyre.

Mbi të gjitha, reputacioni shkatërrohet shumë lehtë. Ajo çka ne duhet të kemi parasysh është se ndonëse reputacioni është vetëm 1% i asaj që ti je, në ditët e sotme ajo përqindje bën diferencën. Ama, përsëri mbetet një përqind. Të gjithë njohim shembuj që janë plotësisht e kundërta nga çfarë thuhet për ta rreth e rrotull.

Pak a shume ky ishte roli dhe rëndësia e tij nga të gjitha këndvështrimet. Por çfarë të bëjmë me të që ai të jetë në favorin tonë? Siç e thashë, nuk kemi dhe aq shumë ne në dorë.

Ajo çka ne mund të bëjmë është të jemi vetvetja. Gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë! Dhe pasi të jemi vetvetja, të mundohemi që të shfaqim anët tona më të mira, të mundohemi të kontrollojmë ato dobësi që mund të kalojnë si avantazh për shoqërinë, të kujdesemi për rrethin shoqëror dhe njerëzit që mbajmë afër, ti zgjedhim me po aq standarde dhe kujdes dhe mbi të gjitha persona tek të cilët të kemi besim. Dhe të qëndrojme pozitiv. Kaq është maksimumi ynë. Pjesa tjetër i mbetet shoqërisë e cila gjithnjë do ketë nevojë për shumë evoluim dhe gjithmonë tek ty do të gjejë diçka që nuk shkon dhe ta bëjë qimen tra.

Kështu që, mundohu të ndjekesh sa thamë më sipër dhe gjithnjë të mbash në mend se reputacioni nuk është ajo çka ti je, nuk është sa vlen ti, është vetëm cfarë shohin ata. Dhe gjithashtu, të mundohemi të kuptojmë dhe në raport me të tjerët të njëjtën gjë. T'i japim mundësi njerëzve të na tregojnë vetë ata se kush janë, dhe jo bota.

Të kujdesemi për mendimet që japim dhe mendimet që lejojmë të futen në mendjen tonë. Dhe mbi të gjitha, të bëjmë gjithcka me dashuri.

0 comments:

Post a Comment