Për ty


Shumë kohë e shpenzuar për të njohur veten tonë dhe në fund a ja dalim?

Po, sepse e vërteta është që me kalimin e kohës njohim botën dhe Krijojmë vetë ne atë që jemi.

Dhe besoj se në jetën tonë gjëja më me rëndësi është të kushtuarit kohë, vëmendje, dashuri dhe gjithcka tjetër vetes tonë në mënyrë që të jemi versioni më i mirë që duam të jemi dhe cdo ditë të punojmë për të. Kjo nuk na bën aspak egoist. Përkundrazi një njeri i formuar mirë dhe në paqe me veten dhe jetën e tij, kthehet në një individ të shëndoshë dhe për shoqërinë. Por si mund ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur? Mënyra e duhur është gjithnjë ajo që ti ndjen dhe ajo që ti e mendon të tillë.

Së pari, eduko veten tënde. Kjo jo domosdosërmësisht në kuptim e parë të shkollimit, por mbi të gjitha me eksperiencat e jetës. Të kesh një mendje të hapur dhe të jesh kurioz ndaj cdo gjëje që të rrethon. Të shohësh përtej paragjykimit, stereotipeve dhe legjendave të ngrira në kohë.Të provosh dhe të njohësh më shumë. Dhe më pas të bësh tënden atë që ti do. Shpenzo për veten tënde, sepse asnjëherë nuk del në humbje.Nuk mund të kufizosh veten në zonën tënde të rehatisë, ndërkohë që aty jashtë ka shumë përbërës që të duhen për jetën që ti do. Guxo dhe mëso.

Së dyti, të ecësh me hapin e kohës. Gjithnjë do duam të përjetojmë një moment sërish, apo të zgjatim atë që po jetojmë. Por sekondat ecin dhe s’janë asnjëherë në favorin tonë. Por ne mund të kthejmë këndvështrimin tonë në favorin e kohës. Merr cdo gjë lehtë, shijoje për aq sa zgjat, qoftë e mirë apo e keqe. Kur të mbarojë,mos e le të vazhdojë në mendjen tënde sepse ajo zë vendin e hapësirave të reja. Dhe hapësirat e reja nënkuptojnë gjithnjë mundësi, jetë. Dhe për të ardhmen, mjafton të kesh të tashmen e duhur. Një hap pas tjetrit. Hapa të vegjël, por të sigurtë dhe që nuk ndalojnë asnjëherë.

Së treti, kujdesu për veten tënde. Dëgjo mendimet e tua dhe atë cka të thotë trupi yt. Instikti rrallë herë gabon, prandaj mos ki frikë të jesh vetëm. Bisedo me veten tënde dhe mundohu ta kuptosh. Pa justifikime, pa ndjenja të ashpra. Mëso të falësh, sepse gabimi është human.Të kuptosh ato cka je, atë për të cilën ke nevojë, atë që dëshiron, të dish pikat e tua të dobëta dhe t'i pranosh e të punosh për to. Duke e njohur dhe pranuar veten, do jesh në paqe me ty. Dhe kjo do pasqyrohet në cdo gjë që bën. Kur ti je në formën e duhur dhe njeh atë cfarë do, cdo vendim bëhet tmerrësisht i lehtë për tu marrë sepse situata është në favorin tënd. Por kur vizioni yt nuk është i qartë, cdo gjë duket e pakuptimtë. Prandaj lër cdo gjë në dukje të rëndësishme dhe kushtoji kohë vetes tënde. Cdo gjë tjetër mund të presi, mirëqenia jote jo.

Dhe jo me më pak rëndësi, është të lidhesh me botën që të rrethon, me njerëzit. Të mësosh të duash të tjerët dhe t'i kuptosh. Të jesh një burim pozitiviteti.Të kuptosh se jo cdokush ka zgjedhur rrugën tënde dhe e ndryshme nuk do të thote e gabuar. Të presësh kundërshti, sfida, zhgënjime sepse ato do jenë gjithnjë të pranishme në jetën tonë.Të jesh afër, por në distancën që cdokush meriton dhe fiton. Mbi të gjitha, mos mba mëri. Lëri të shkojnë, është më mirë të clirohesh nga ato energji negative sesa ti mbash pezull tek ty ndërkohë që s'kanë më rendesi.Mos ki frike të largohesh nga marrëdhëniet toksike, sepse nuk do të jesh vetëm. Dhe mos i dëgjo ata teksa flasin për ty, ose më saktë dëgjoji, merri mendimet, procesoji dhe mba ato që dëshiron. Mos i lër të të diktojnë se kush je, por vetëm të të ndihmojnë të reflektosh. Merr cdo gjë lehtshëm me një buzëqeshje, sepse kur ti buzëqesh më beso që ata nuk kanë asnjë fuqi kundrejt teje. Ruaj privatësinë tënde mbi cështjet që kanë rëndësi për ty, pasi jo cdo gjë është për tu ndarë me të tjerët. Mbi të gjitha, ji e sinqertë dhe dashuro me zemër.

Dhe me të gjitha këto copëza që ti vetë zgjedh, krijon pak nga pak vetën tënde. Njeh botën, njerëzit, universin dhe krijon veten tënde. Hap horizontin tënd. Mbi të gjitha, rritu. Rritu në eksperienca, ndjesi, mendime, shpirt.

Rritesh sa herë lë dicka të shkojë, sa herë mposht një sfidë me pozitivitet, sa herë i thua frikës tënde të ndalë. Rritesh kur kupton që të bësh të gjitha këto do të thotë të duash veten. Rritesh kur të vendosësh veten të parën, nuk është me egoizëm por një veprim dashurie për botën që të rrethon.

0 comments:

Post a Comment