Kohë më parë



Në kujtim të një dashurie të madhe.

Kaq shumë ditë që shkuan, shkuan pa ty pranë, shkuan e u harruan.Koha qenka sundimtarja më e madhe nga të gjitha mbretëreshat e fuqishme të jetës.

 Të paktën, ne të dy na mposhti e s’do ringrihemi dot më. Distancën e kujtimeve ndonjëherë ndiej nevojën ta afroj, por asnjëherë nuk arrij ta bëj. Jo më. Tashmë di vetëm që dikur ishte dikush. Dikush që për shumë pak, ose ndoshta më shumë se c’duhet, mbizotëroi mbi gjithcka. Dikush që hodhi poshtë cdo rregull e po ashtu,përmbysi edhe jetën time.Gjithashtu di se dikur kisha dikë për të cilin zgjohesha e lumtur në mëngjes, dikë që më sfidoi. Ai ishte motivi im, ai ishte gjithcka që doja. Ishte gjithcka që doja e që s’duhet ta doja; ishte gjithcka që doja e që më thonin të mos e bëja.  Ishte ai që më mësoi se zemra nuk kontrollohej e as kuptohej, me të vetëm ndjen dashurinë fuqishëm; ai që më mësoi se kur e do dicka a dikë, e gjitha ti, cdo qelizë vihet në funksion të saj. Dhe më mësoi kaq shumë dhe e doja kaq shumë sa fjalët nuk mjaftojnë.

Por pranisë së tij, një ditë duhet t’i vinte fundi domosdo. Sepse koha ecën dhe unë zgjodha te rendja pas saj dhe jo pas teje, i dashur.” Pse jo pas teje kur unë të doja?” do pyesje. Sepse ti do ikje, ti ike gjithsesi. Dhe kur ti ike cdo qelizë akoma funksiononte, por tashmë në kah të kundërt. Sepse sa herë ecja, shihja dicka, të ndieja ty diku, për një moment shkatërrohesha. Sepse të kisha dashur aq shumë sa as nuk e dija që mundesha. Të kisha dashur aq shumë sa kisha harruar se këtu brenda meje jetonte një fëmijë që kishte nevojë për përkujdesje dhe kur isha me ty, ai kaloi në vend të dytë.

Ika unë sepse zgjodha të rigjeja veten, pasi ti ma kishe shpërndarë në copëza diku larg. Ato copëza s’i gjeta kurrë. Ndërtova disa të tjera, ne forma dhe ngjyra të reja. I ndërtova në dimensione ku ato s’do i kushtoheshin më dikujt tjetër, nuk do mendonin më për dicka që zgjat.I ndërtova në linja ku ndjesitë e mëdha nuk dinin si të arrinin, në linja e qytete ku gjendesha vec unë dhe qetësia e reflektimeve të mia.

E sot po kështu jam. Por sot është një ndër ato netët kur hapet një dritare nga e cila vjen zhurmë,dritë. Janë ato të déjà-vu-së së preferuar, ato të aventurës së paharruar. E ajo pjesë e mbetur nga e shkuara do jetë gjithnjë në shpirt i egër që dashuron pa kufij. Ajo do të rendi pas teje, por reziston. Tashmë kujtimi yt s’është më aq i gjallë e aq i fortë sa të hedhë përtokë mburojën time. Por ti do jesh gjithnje ai. Kur të më pyësin për atë ndjenjë, emrin e së cilës do e kem harruar si tingëllon, do më kujtohesh ti. Do them “Ishte ai” me një buzëqeshje dhe pse s’do e di më kush je.

Do di vetëm që je jeta e copëzës sime të fundit.

0 comments:

Post a Comment