Nuk mundet ≠ Nuk do


Potencial apo zgjedhje?



Mund të themi që jeta jonë ka gjithnjë ndodhi, apo gjëra që na bëjnë të mendojmë. Një ndër to ka qenë arsyeja pse asnjeherë s'më ka pëlqyer fjalia "Nuk mundesh".

Përtej egos që gjithnjë nuk sheh ndalim, ka diçka tjetër që po mundohem tja rrok kuptimin së fundmi.

Kur na e thotë dikush tjetër, ka të bëjë me faktin se diçka tek ty merret si e mirëqenë. "Ti nuk mund ta bësh këtë se ke qenë gjithnjë ndryshe." "Nuk mund të sillesh në këtë mënyrë" e shumë e shumë të tjera. Por njeriu ka potencialin të bëjë çfarëdo. Mund të ndalojë së qeni ai personi me vese të këqija dhe të rinisë një jetë të re. Apo dhe e kunderta, personi "perfekt" i shoqërisë të sulmojë aty nuk e pret. Mund edhe të largohet nga diçka që e do, të rrijë me diçka që s'e do, apo anasjelltas.Sado e çuditshtme të duket, çdo veprim e ka një arsye. Pra çfarë mundesh të bësh?  Gjithçka. Pikërisht fakti se potenciali yne lejon  gjithçka, ne bëjmë një zgjedhje. Dhe kjo mund të ndryshoje kurdo. Prandaj, njerëzit duhet ta kujtojnë shpesh këtë dhe të mos i marrim gjërat si të mirëqena. Gjithçkaja në një sekondë mund të kthehet në asgjë.

Gjithashtu e themi shpesh në shenjë "mirësjelljeje" kur nuk duam të bëjmë dicka. Por kjo ndonëse mund të na shpëtojë nga situata disa herë, con në shumë keqkuptime, që askush nuk do t'i ketë. Kujtoni se nuk ka asgjë të keqe të refuzosh dicka pa i dhënë askujt shpjegime/justifikime për të. Le të jemi pak më të sinqertë me njëri- tjetrin!

Po kur këtë ja themi vetes? Eshtë pak a shumë e njëjta teori që vlen dhe për veten tonë. Por arsyeja se pse e bëjmë këtë ndryshon. Sepse kemi frikë të bëjme diçka, apo ajo që duam të bëjmë, që zgjedhim të bëjmë,tingëllon jo e duhura. Dhe si në përpjekje për të gënjyer veten tonë duke u justifikuar me pamundësinë, apo që s'kemi një zgjedhje tjetër e kalojmë si situatë. Por kjo nuk është një marrëdhënie e shëndetshme që ndërtojmë me veten tonë. Për çdo gjë që bëjmë, të pranojmë se jemi ne përgjegjësit e vetëm dhe asnjë rrethanë tjetër; se kur përballemi me pasojat, ishim ne që bëmë zgjedhjen e duhur apo të gabuar.

Prandaj, duhet të fillojmë me shumë të themi "Nuk do" apo “Nuk zgjedh” sesa "Nuk mundesh" kur i drejtohemi vetes apo të tjerëve.

0 comments:

Post a Comment