Syno yjet


Të kesh një qëllim dhe të rrezikosh...

Syno yjet është një ndër shprehjet e mia të preferuara dhe një ndër gjërat që çdokush duhet të ketë gjithnjë në mend. Të kesh një qëllim, një vizion, diçka për të cilën lufton, diçka të cilën e do me të vërtetë shumë luan një rol të rëndësishëm në jetën tënde. Yjet e tua mund të jenë gjithçka që ti pret të ndodhë në të ardhmen. Mund të jenë një familje e madhe, një karrierë e suksesshme, një dashuri e paharrueshme, udhëtime përreth botës, apo vetë hapësira dhe yjet. Yjet janë ato që të bëjnë të lumtur.

Kënaqu me ato çka arrin, por mos u mjafto. Shih dhe zbulo më tepër brenda dhe rreth teje.Synimi i yjeve simbolizon dy aspekte të jetës tënde: të kesh një qëllim dhe rrezikun.

Nëse vendos një qëllim , ndoshta nuk e arrin plotësisht, por mjafton ta kesh prekur. Nëse nuk i  vendos vetes një të tillë, e sigurtë është që asnjë arritje nuk do të kesh. Në fund të fundit, është jeta jote dhe nëse nuk mendon për të, një fund i parakohshëm të vjen në shpirt.

Ndërsa rreziku është gjithçka që e bën jetën aq emocionuese. Të jesh i qëndrueshëm, brenda zonës tënde është diçka pozitive sepse çdokush ka nevojë për një prehje dhe qetësi. Por jo përgjithmonë. Prandaj, dil jashtë asaj që je mësuar dhe shfrytëzo mundësi të reja. E di që është e frikshme, e panjohur por më e keqja që mund të ndodhi nuk është asgjë para asaj që fiton. Rrugë të reja sjellin mundësi të reja, dimensione mendimesh të reja edhe gjithçka tjetër.

Yjet mbesin gjithnjë në horizont, dhe ti mjafton të provosh. Të duash me gjithë shpirt dhe të bësh atë që do, në çdo moment. Kudo, gjithçka ta vendosësh në funksion të saj. Ato janë aty që ti t’i arrish, t’i zbulosh, t’i shijosh.

Syno yjet dhe jeto.

0 comments:

Post a Comment