Për veten, me veten



Është koha të flasim për veten, me veten tonë.

Gjithnjë jemi kritikuesit më të ashpër të saj, pa kuptuar që jeta jonë varet nga mendimet tona. Duke u kujdesur që çdo aspekt i jetës sonë të shkoje siç duhet,ashtu siç thuhet se duhet të jetë, duhet të ndalemi një moment tek ajo që ne duam me të vërtetë për jetën tonë. Të kujdesemi që ndihemi mire, që barra mbi supe për arsye të panevojshme të lehtësohet, dhe që për një çast të vetëm të jemi në qetësi. Do jetojmë një jetë të tërë nën këto ndjenja e mendime dhe nuk po i trajtojmë siç duhet.

Mbi të gjitha, duhet të mos jemi të ashpër me veten tonë. Kur dikush i rëndësishëm për ne gabon ose na lëndon, ne kemi mësuar të falim dhe të justifikojmë çdo veprim edhe atëherë kur nuk duhet. Kujdesemi për çdo fjalë që i themi, dhe jemi aty kur kanë nevojë. E këshillojme mbi çdo vështirësi dhe gjithçka tjetër.
Po sikur të nisim ta bëjmë këtë edhe me veten tonë?

Eshtë humane të gabosh, sepse rrethanat të ofrojnë shumë zgjedhje dhe kurrë s’ka qenë e lehtë të marrësh një vendim. Por për çdo rrugë që zgjedhim, ekziston përsëri një udhëkryq i ri, kështu që të mos gabojmë sërish duke fajësuar veten për ato çka lëmë pas. Ka shumë mënyra për të arritur aty ku ne duam, dhe ndonëse dashur pa dashur, zgjedhim atë rrugën e gjatë, e rëndësishme është të mos ndalosh. Ai është i vetmi çast që ne me të vërtetë humbim. Mendimet janë të shumta, të shumëllojshme dhe të pafundme. Po ashtu edhe ndjenjat. Dhe asnjë prej tyre nuk i kontrollojmë nëse duan të ndeshen me ne. Ajo çka ne mund të bëjmë është të kujdesemi çfarë ne zgjedhim nga to dhe çfarë i ushqejmë vetes. Sa herë na ka ardhur në mendje një ide paragjykuese? Në vend që të mendojme "sa e shemtuar ", mund të ZGJEDHIM të mendojmë "është diçka ndryshe nga ato që unë preferoj, dhe për aq kohë sa nuk ndikon negativisht në jetën time, çdo gjë është në rregull." Edukimi është një proces që zgjat shumë, por rolin kryesor e luajmë gjithnjë ne.

Është e mrekullueshme të duash të arrish majat, por pritshmëritë nuk duhet të jenë gjithnjë aq të larta.Të jemi realistë edhe të hedhim hapa të vegjël por të sigurtë.

Edhe ti mund të zgjedhësh të largohesh për pak kohë, qoftë edhe një ditë kur ke nevojë për pushim. Më beso që çfarëdolloj përgjegjësie mund të presi, shkolla,puna, familja apo çfarëdo tjetër. Dhe ka një arsye tepër të fortë pse duhet ta bësh këtë. Për aq kohë sa ti nuk je në formën tënde më të mirë, edhe gjërat që ti bën nuk arrijnë maksimumin e tyre. Kështu që herën tjetër që jeta jote të duket tepër e vështirë për t’u përballuar, merr pak kohë për TY. Kujdesu për veten.

Gjithashtu, ndiq gjërat që do (dhe që janë të mira për ty). Kjo është këshilla më e mirë që mund të ndjekësh, sepse kur bën atë që do, cdo gjë sillet në vijë.


Është koha të flasësh përsëri pak me veten. Kupto se çfarë ajo do, dhe vetëm asaj jepi gjithçka pa kushte, kurdo.

0 comments:

Post a Comment