Çelësi: Përshtatja



Janë ato gjëra për të cilat e vendos ti për fatin tend, por njëkohësisht, jo gjithçka varet nga ne, dhe …

Çelësi është gjithnjë përshtatja.

Ndonëse kjo është një teori e vërtetuar që në mbijetesën e gjallesave të para, rrallë kujtohemi ta përdorim në jetën tonë.Toka është gjithnjë në rrotullim e sipër dhe po ashtu edhe jeta jonë. Po aq e gjatë sa ngjan, aq e shkurtër përfundon. Dhe në këtë iluzion kohor që kemi, duhet të marrim më të mirën që mundemi. Dhe shpesh, në mos gjithnjë, e kemi tepër të vështirë të kapërcejmë faktin që çdo gjë mbaron, ndryshon formë dhe është e përkohshme, e mirë apo e keqe qoftë ajo. Prandaj të zhvillosh një botëkuptim të atillë që të përshtatesh me çdo gjë që të sjell rrjedha, është me të vërtetë një ndër çelësat e jetës.

Diçka që nuk duhet ngatërruar është koncepti i nënshtrimit ndaj “fatit” me përshtatjen. Ka 2 lloje drejtimesh që duhen ndjekur ndarazi. Për gjërat që ne vendosim dhe mund t'i kontrollojmë, nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë, sado e vështirë të duket situata. Synimet e tua, puna, ndryshimet mbi mënyrën e jetesës etj. janë ato gjëra për të cilat e vendos TI për fatin tënd.

Por njëkohësisht, jo gjithçka varet nga ne, dhe këtu hyn "Përshtatja".Shembujt janë të shumtë.

Nëse flasim për marrëdhëniet që ndeshim dhe ndërtojmë me njerëzit, filloni të mendoni që janë kalimtarë të rastësishëm.Dikush qëndron pak më gjatë, dikush shumë pak dhe kjo s'ka të bëjë aspak me ne. Ajo që ne mund të bëjmë është të marrim më të mirën e momentit. Të jemi gjithnjë të përgatitur për një situatë që ndryshon, dikë që vjen apo largohet dhe të mos i lëmë ndjenjat e momentit të kthehen në përcaktuese të jetës sonë. Të marrësh çka duhet nga e shkuara dhe të lësh pas të tjerat, të jesh dhe të veprosh tani, hap dyert e së ardhmes.

Një ndryshim qyteti, shkolle, pune apo çfarëdo qoftë le të fillojmë ta shohim si një mundësi të re. Ndryshimet janë gjithnjë gjëja më e mirë që mund të ndodhi, më besoni. Nëse ne kemi ngecur në të shkuarën, nuk mund të shohim lehtësisht atë çfarë  kemi përpara nesh dhe kjo gjithnjë ka pasoja. (Por mos harroni, ky botëkuptim është nga ato gjëra që e keni ju në dorë dhe mund ta ndryshoni në çdo kohë.)

Jam e sigurt që shumë copëza të tilla të jetës suaj ju vijnë në mendje. Dhe kur ajo që duhej ka ndodhur, ju është dukur sikur një barrë e rëndë sapo ju lehtësua nga mendja. Prandaj është e rëndësishme të mos i sforcojmë gjërat që të ndodhin apo jo. Të përjetojmë emocionet ashtu siç vinë, pa i futur në filtrat e pritshmërive, sepse nuk është destinacioni i duhur për to. Të mos neglizhojmë as ndodhitë e pakëndshme, duke pretenduar se mund të largohen, por të marrim nga to thelbin. Sepse çdo gjë e ka një qëllim. E njëkohësisht, për gjërat e bukura... ti jetojmë të lumtur për aq kohë sa zgjasin e t'i lëmë të shkojnë kur vjen momenti.


Prandaj, përshtatu në mënyrën tënde dhe unike me çdo gjë që të sjell jeta. Por mos harro që ndërkohë të kultivosh një mendje të shëndetshme, dhe të bësh zgjedhjet e duhura për ato tek të cilat ke fuqi. Dhe sidomos, mos t'i ngatërrosh asnjëherë këto të dyja me njëra tjetrën. 
                                              
Shume dashuri, Ana.

0 comments:

Post a Comment