Ti


Ti, në çdo frymëmarrje të pakuptimtë.

Ke mbetur diku, në ato rrugët e mendjes sime, herë i qetë dhe herë ngre krye, por je përherë aty. Koha ndryshon gjithçka, rrotullon çdo send, njeri, emocion.

Lexoj shkrime të vajzave që sapo i është thyer zemra dhe rikthehem dhe unë në kohëra kur shpresoja që fjalët e hedhura diku të më shëronin. Rikthehem atëherë kur bota më dukej e pafund, por pa ty jo. Rikthehem atëherë kur as vetë nuk e kuptoja se si mund të doja dikë aq shumë. Eci në shtigjet që me sjellin buzëqeshje, nostalgji dhe aromën tënde.

Sikur ta dija atëherë që bashke me erën do ikje dhe ti. Dhe bashkë me ty do iknin disa guaska jetë të miat. Do fshiheshin diku thellë në det dhe ndoshta vitin tjetër do i ndieja sërish me dallgët që vinin.

I zbehtë, por i pakrahasueshëm. Ende ai për të cilin më pyesin. I them që je mire, flas me shpërfillje sikur tashmë s’je më pjesë e jetës sime, por që kurrë s’do ta doja të keqen. I them kështu sepse është më e thjeshtë. Më e thjeshtë sepse sado që dashuria të ketë krahë, fjalët s’do mundeshin ta shpjegonin.Sado që pas kaq viteve, pothuajse çdo gjethe është ndërruar, të ndiej ende nën lëkurë në rrezen e parë të mëngjesit. Të ndiej kur më hidhje shikime, të ndiej kur bëje gjithçka për mua, të ndiej kur kujdeseshe për mua. Ndiej sikur nuk ka mbaruar mes nesh. Sepse je ende kudo, dhe tani që une nuk perpiqem më të të gjej ti sërish shfaqesh. Por nuk mund të bëj asgjë i dashur. Sepse ndiej gjithashtu dhe fjalët e kota që më the , dhe shpërfilljen atëherë kur të doja pranë, dhe netët kur gjithçka ishte për ty dhe ti nuk ishe.
Ndjesi që nuk shteron kurre. Po e lë gjithçka të ndodhë.

Kur rrugët të na risjellin sërish, le të gjejmë fjalët e duhura dhe të jemi sërish ne.

0 comments:

Post a Comment