Pak shpjegime



Nëse nuk kam dashur t’ja di sa shumë më "doje", nëse nuk kam dalë me ty, nëse nuk kam përfillur asgjë tënden,  më vjen keq, por nuk do të kërkoj falje.  Sepse...


Besomë që lojërat e mendjes dhe të zemrës i di mirë, por rrallë kam kohë për to.

Sepse duhet të dish të vlerësosh dhe të respektosh dikë e më pas ta duash. E kur ta duash të mos jetë egoiste, gjithnjë gati për të marrë dicka e për të ikur. Sepse më shumë sesa të admirosh dikë, duhet të duash ta njohësh atë.

Nëse u largove menjëherë sapo të thashë që nuk kam nevojë për dikë, të falenderoj. Sepse nuk kam nevojë, por kam dëshire të kem dikë afër dhe qartësisht jo ty.

Nëse u përkushtove shumë që në fillim dhe s'gjete kurrë arsyen pse nuk ta ktheva njësoj, apo mendove se kam dikë tjetër në mendje, mos u mundo. Frikësohem gjithnjë nga diçka e madhe, e furishme, sepse e di se si është të duash dikë në atë  mënyrë dhe kuptoj që ajo e jotja s'është as e vërtetë. Më pëlqen t'i dëgjoj në fillim, por pastaj shumë ëmbëlsi e shtirur nuk i shkon ftohtësisë sime. Mos u përpiq kaq shumë, thjesht lëri gjërat të jenë dhe komuniko për ato që ndjen.

Kur folëm për temat që ti doje, që e bëjnë jetën të gjallë dhe pe s'e nuk kisha aspak komplekse, u rrëmbeve direkt. Jo se është diçka e keqe, mos më keqkupto. Por nga të gjithë gjërat që unë të lë të shohësh, zgjedhja që ti bën tregon se çfarë do nga mua, dhe përgjigja s'është aspak e këndshme shpeshherë.

Nëse nuk më ke pyetur asnjëherë se si jam dhe s’je munduar të më bësh të qesh, as që e mendoj dy herë të të largoj. Kjo s'ka të bëjë aspak me romanticitetin, ka të bëjë me interesimin bazik mbi personin me të cilin po mundohesh të zhvillosh një marrëdhënie.

Ka rastistur të flasim dhe për të shkuaren tënde, dhe nga mënyra sesi flet për ato që dikur i kishe të çmuara është neveritëse. Njerëzit vinë e ikin, kuptojnë se nuk duan të jenë me bashkë, por respekti duhet të qëndrojë. Egoja është një çështje madhore dhe përçmimi për të shkuarën tregon se nuk je as edhe një hap më para asaj që ke qenë atëherë.

Nëse të ka çuditur fakti që disa ditë as nuk dua të flas me askënd, apo disa gjëra normale (për ty) për mua janë shumë private, kështu jam unë. Ke shumë pak kohë dhe s'mund të arrish t'i kuptosh, por mund thjesht t'i pranosh si të tilla derisa pak nga pak të premtoj që do bëjnë sens të gjitha.

E kur gjithçka shkon mirë, dhe një ditë nuk është më njësoj? Negativiteti yt më mbyti, sepse dashur pa dashur kisha filluar të të vendosja ty të parin, të zgjidh problemet e tua, të motivoj ty dhe askund të mos të shkojë. Mbështetja është një ndër gjërat që unë fal përherë kurdoherë, por unë nuk jam një psikologe e as një nga prindërit e tu, kuptoje ndryshimin.

Mund edhe të kërkoj falje, sepse shumë nga këto vijnë nga problemet e mia të besimit. Por si mund të ishte ndryshe kur sapo hedh hapin e pare, të hapet një greminë dhe askush s'është aty për të mbajtur dorën? Kur sa herë që e lë dikë brenda mureve që çdokush ka, ata largohen. Marrin atë që i bën të lumtur dhe zhduken. Kur të shohin si një argëtim të përkohshëm, e më pas as si të tillë s'të vlerësojnë? Si mund të ishte ndryshe?

Dhe për ty që ndoshta je afruar pak më shumë, besoj se e di që ai dikushi i madh bëri që gjërat të mos jenë njësoj. Sapo një i ri fillon të bëjë dicka që ai dikur e bënte, unë rrënqethem sepse e di si do shkojë. Kur të përqafoj ty dhe më shfaqet imazhi i tij, s'mundem kurrsesi të qëndroj me ty. Kur horizonti im është ai, nuk të shoh dot ty. E doja shumë, nuk e di a e dua ende.

Dhe vetvetiu ose dhe me qëllim, zemra ime është ngurtësuar dhe interesimi për çdo gjë është zbehur. Mos më keqkupto, ende me dhimbsen kafshët dhe dua të di çdo gjë për ditën e një të huaji. Ende me xixëllon zemra kur ndiej valët që kalojnë mes meje dhe dikujt të ri, por xixëllonjat shihen vetëm natën, dhe jam mësuar që t’ja bëj vetes ditë përherë.Ose fluturat i ndiej, por nëse nuk shoh të njëjtën dashuri nga ai, e lë me kaq. Ndiej çdo gjë që ndieja dikur, por tashmë i kam nën kontroll.

Kur mos të marrësh një përgjigje, ose ajo të jetë negative, më beso nuk është problemi tek ty dhe as tek unë. Thjesht, njerëzit duan gjëra të ndryshme dhe atë çka dëshiroj nuk e shoh tek ty.


Shpresoj që tani gjithçka të jetë pak më e qartë.

0 comments:

Post a Comment