Horizont


Do më mungosh ti, ti si horizonti im.
U bë kohë.

Kohë që të njoh, kohë që të desha, kohë që ti ike.

Gjithçka ka ndryshuar formë e përmbajtje, por ti në zemrën time mbetesh i njëjtë. I zbehtë, i vështirë për tu dalluar, por je gjithnjë aty.

Tashmë dielli më ngroh teksa eci me mësimet e tua.

Mbaj nga ty vlerat në vetvete dhe besimin se gjithçka është e mundur, gjithçka do shkojë mirë. Çdo gjë e vogël tashmë në fakt ka rëndësi të madhe, sepse ashtu, copëz pas copëze, po ndërtohem dhe unë. Dhe aty, më beso që ka shumë pjesë nga ty.

Nuk është më e vështirë ta përtyp që ne të dy s'jemi e nuk do jemi asnjëherë.

Por çmenduria e dashurisë nuk mjaftohet me kaq. Nuk do jemi një "ne", por dreqin, duhet të jemi një "unë" dhe "ti" për njëri-tjetrin, të huaj kurrsesi.

Rrugët tona po ndahen plotësisht, dhe kjo më dhemb gjithnjë. Sepse ti je ai. Më fal, por nuk mundem më.

Do më mungosh, në çdo moment.

Do më mungosh kur të kthej sytë nga dera, dhe mos të hyjë askush që t’më bëjë të më ndriçojnë sytë. Do më mungojë shikimi yt që më bënte gjithnjë të buzëqesh. Do më mungojnë përpjekjet për të qenë një hap më afër.

Do më mungosh ti, ti si horizonti im.

Do shoh kudo dhe ti s’do jesh më. Dhe atëherë të premtoj që do mbyll sytë, dhe do shoh në ngjyrat e qiellit të shpirtit tim.

Faleminderit që ekziston.


Lutemi dhe për një herë tjetër te vetme, por ne s'do na mjaftonte as pafundësia.


Photo credits to :Marcos Pezzani

1 comment: