Ndoshta

Fati luan zarat përsëri.

Një moment dhe ai kthehet nga gjithçka në asgjë. Ishte ai momenti që ke kërkuar gjithnjë të ndodhë, por në të njëjtën kohë nuk e prisje që të zgjoheshe një mëngjes dhe të mos ndieje më për të. U desh nje stuhi e frikshme, ku ti arrite të bëheshe e fortë dhe nuk e prisje që ai të largohej me flladin e lehtë, të largohej ashtu pa u ndjerë. Ishte një ndjesi që as u ndje,një tronditje që as u përjetua, një agoni që ende nuk e ke kapërcuar. Arsyeja e gjithçkaje mbetet e paditur, njësoj si miliona pikëpyetje që e ndjekin nga pas. Dhe si ironi, në momentin që u shporre nga zemra ime, ti ishe aty. Më afër se asnjëherë më pare, e në të njëjtën kohë, aq larg sa as rrotullimi i Tokës nuk mundet të na sjellë përmbys mbi njëri-tjetrin.
Fati luan zarat përsëri.
Tani nuk ndiej absolutisht asgjë, dhe as e kuptoj se si është e mundur diçka e tillë. Kujtimet janë aty dhe unë mund t’i tregoj me po të njëjtin zell, por mungon shpirti. Çdo gjë është si një fjalë që e merr era, njësoj siç të mori ty.
Mos vallë ai trishtim që zgjati aq shumë mori me vete edhe lumturinë e u nisën në shtegtim, dhe foleja e zemrës sime mbeti bosh? Mos vallë duhej e gjitha kjo për t’u kthyer në diçka që pulson, por pa kuptim?
Ndoshta.
Është gjithcka si një vijë e drejtë e papërkulshme, por që tani nuk thyhet më edhe nëse e provon. Dhe ja pse; pikërisht se nuk thyhet është gjëja më e mirë që më ka ndodhur. Edhe ja pse; pikërisht se mbetet në qetësi,pa asnjë lëvizje është gjëja më jonjerëzore që më përndjek.

Nuk e di në mund ta quaj rilindje të shpirtit apo arrati të tij.

0 comments:

Post a Comment