Një e vërtetë ndryshe


Toka rrotullohet dhe koha ndryshon çdo stine, edhe ato të ndjenjave, edhe ato të mendimeve.

Një fillim i ri.

Jo, këtë herë nuk je më ti.

Tashmë çdo gjë është ndryshe. Është një bukuri e pakrahasueshme, por jo e dhimbshme. Është një lumturi e hijshme, por jo e shkurtër. Është një dashuri që nuk të vret sa herë e prek. Sikur tani çdo gjë të merrte krahë, do kishte përherë forcën të fluturonte. Sepse është një ndryshim, një fillim i ri.

Toka rrotullohet dhe koha ndryshon çdo stinë, edhe ato të ndjenjave, edhe ato të mendimeve. Dhe tek të miat do mbetesh përherë ti. Do mbetesh përherë aty sepse mësimet e tmerrshme të së vërtetës mi tregove ti si përrallë. Sepse për një kohë të gjatë, e kapur pas teje, udhëtova në shtigje të pazbuluara. Sepse falë teje zemra ime kapërcente male dhe filloi të besonte përsëri në këtë jetë.

Por pavarësisht se do jesh aty, gjithnjë, në çdo kohë; ky është një fillim ndryshe. Ti je në pikëvështrimin më të largët timin. Sepse në fakt jo çdo gjë e bukur duhet të dhemb. Sepse jo çdo lumturi duhet të varet nga dikush tjetër. Sepse jo gjithnjë dashuria duhet të të shndërrojë në rob të saj. Sepse jo çdo e vërtetë që më tregove ti, ishte e tillë.

Ndonjëherë, bota nuk të djeg shpirtin. Dielli të ngroh dhe flladi të ledhaton.


Ndonjëherë gjërat e bukura vijnë qetësisht, me pak zhurmë dhe shumë dashuri.


0 comments:

Post a Comment