E fundit


…ashtu siç bëjmë kur jemi të sjellshëm me një të huaj.

Teksa kohët kanë kaluar, tani në një ndër ato vendet me shumë zhurmë, të kam ty, ulur në tavolinën përballë.

Këtë herë, nuk i ula sytë siç bëja dikur për të penguar vërshimin e kujtimeve që të më kaplonin trupin;  shikimi yt ishte i plotfuqishëm. Madje sot, të shoh me siguri dhe të buzëqesh lehtësisht, ashtu siç bëjmë kur jemi të sjellshëm me një të huaj.

Sot është një ndër ato netët, që kanë filluar të bëhen të shpeshta, që unë i shijoj me veten time, ulur diku me një gote përpara dhe një tufë mendimesh. Ndërkohë, shikimi yt shtanget dhe mundohet disi të justifikohet edhe pse s’është e nevojshme ta bësh, kur ajo, një tjetër e dashuruar pas teje, vjen dhe të përqafon dhe ulet me ty.

Ajo është tmerrësisht e bukur dhe e çiltër dhe e lumtur.

Teksa minutat kalojnë, ti, së bashku me mua, të dy vëmë re që ndërsa ti je po i njëjti, asgjë nuk është më njësoj me mua.Tashmë kam mësuar të kontrolloj gotat që pi njëra pas tjetrës, di të buzëqesh edhe kur është e vështirë. Nuk më tremb më të qenit vetëm dhe as të të shikoj në sy. Kam filluar të vendos më pak tualet dhe flokët i mbaj të kapura topuz me një elegancë të pakrahasueshme.  Duket sikur më në fund, jeta ime është në vijë.

Por vetëm për një moment që ul sytë, ndiej peshën e gjithçkaje që kam përjetuar, gjithçka që ti më bëre të përjetoj. Peshën që më shkatërroi jetën dhe që tani do të rëndojë ty. Dhe një lot, instiktivisht,  rrjedh nëpër faqe dhe zbeh buzëqeshjen time. Por vetëm për një moment ama, sepse plagët e mbyllura nuk hapen sërish.

Në jetën time hapen vetëm dritare të reja, udhë të reja dhe asnjë kapitull i mbyllur.

Dhe teksa çohem për të të dhënë buzëqeshjen e fundit, teksa të kaloj ngjitur, arrij të ndiej prekjen e dorës tënde. Këtë herë nuk më le të shkoja,por ishte tepër vonë, i dashur. Imazhi i fundit që mbaj mend është shprehja e fytyres së saj, që mesa duket nuk i kishe folur për mua, që mesa duket sapo ju shemb bota.

Ju lashë të dy ashtu të ngrirë dhe dola. Ajri që kam thithur atë cast, ka qene më jetëdhënësi për mua.

Gjithçka që doja, tashmë, nuk ishe më ti. Gjithçka që doja…isha unë

0 comments:

Post a Comment