Shkëndija e feminizmit


Feminizmi, një lëvizje që duhet përqafuar.

Feminizmi, një tematikë sociale tepër e diskutuar, e në Shqipëri një dukuri “ e re”. Por çfarë është feminizmi dhe çfarë synohet? Po në Shqipëri, cila është situata aktuale e shoqërisë?

Feminizmi është bashkësia e lëvizjeve politike, ideologjive dhe lëvizjeve shoqërore që kanë një qëllim të vetëm : të përcaktojnë, të tregojnë dhe të arrijnë të drejtat politike, ekonomike, vetjake dhe shoqërore për femrat.

Të gjitha këto synojnë fuqizimin e femrave, por në nivel  barazie me meshkujt. Pra, duhet theksuar se feminizmi nuk kërkon që femrat të jenë superiore apo dominante ndaj meshkujve, por vetëm të barabartë. ( Përveç  feminizmit ekstremist, që i përket një diskutimi më të gjerë)Të drejtat absolute që një femër duhet të ketë:
-e drejta e votës
- e drejta e arsimimit
- e drejta e pronës
-e drejta e fjalës dhe e protestës
- mundësi të barabarta në punësim, në kushtet e punës dhe në pagën e marrë
- integritet dhe përfshirje në shoqëri
-liria e martesës dhe e divorcit
- jo dhunës, përdhunimit dhe ngacmimit seksual.
Ndonëse disa të drejta janë arrirë,ende femrat nuk kanë marrë rolin që duhet në shoqëri. E nëse s’do të kishin qenë përpjekjet e feministëve në të shkuarën, asnjë nga këto të drejta nuk do të ekzistonte për femrat.

 “ Përse na duhet feminizmi akoma? Kemi tashmë të drejta.”  Unë them ta shohim nga një sferë më e afërt, Shqipëria.Sipas një raporti të INSTAT (2015), meshkujt kishin një dominim në nivelin e punësimit dhe për të njëjtin vend pune, paguheshin 10% më shumë se femrat.Në vitin 2014, femrat përbënin vetëm 33 % të parlamentit shqiptar. E nëse këto janë statistika e fakte që nuk hidhen dot poshtë,  as situatat e jetës së përditshme nuk mund të mohohen. Sa herë që na duhet një sinonim për fjalën të dobët, përdoret fjala “ femër”. Në çdo rast ngacmimi seksual/ përdhunimi, fillojmë të përrallisim se si ajo duhet të ishte më e kujdesshme, më pak e zhveshur dhe jo se si ai nuk duhet ta shohë femrën si objekt. Sepse kur një femër zgjedh të mos martohet, por të fokusohet në jetën e saj, epitete të shumta fillojnë të vendosen. Ndërsa kur një mashkull bën po të njëjtën gjë, shihet si një njeri me vizion dhe në karrierë.E nëse dikush ende nuk arrin ta kuptojë se pikërisht femrat kanë nevojë të fuqizohen në shoqëri dhe çdo e drejtë që i përket të respektohet, diçka në perceptimin mbi të qenit njeri, i mungon. Çdo femër ka të drejtë të jetë e lirë, e respektuar dhe e lumtur. Dhe shoqëria ka pikërisht nevojë për femra të tilla, dhe për meshkuj të tillë. Për individë që respektojnë njëri-tjetrin dhe jetojnë në harmoni. Ju siguroj që gjithçka në këtë botë do të ishte më e mirë.

Ky nuk ishte një postim ndërgjegjësues me tone të zjarrta për vetë faktin se hapi i parë dhe më i  rëndësishëm është informimi. Nuk mund të luftojmë diçka nëse nuk arrijmë të kuptojmë vlerën e saj. Ky nuk ishte një postim ndërgjegjësues.


Ndërgjegjësimi do të nisë nga ju. Do të nisë nga shkëndija e ndezur në zemrën tuaj.Shkëndijë që shpresoj të kthehet në zjarrin e paqtë të evolucioneve të mëdha.


Burimi i fotos: http://www.huffingtonpost.com 

0 comments:

Post a Comment