Nëse jeta do të ishte një film


Do të nisej me një tren për në askund për të zbuluar gjithçkanë. Sepse… Ka gjithmonë një “sepse”.

Nëse jeta ime do të ishte një film, me siguri do të ishte një film me metrazh të shkurtër. Nga ata ku gjithçka ndodh, ama nis e mbaron po aq shpejt sa një rënie meteorësh. Aty do mund të kishte ëndrra, shpresë, liri. Aty do mund të prekja pafundësinë.

Dita do të fillonte me mëngjese të vona teksa shijoja përtacinë me një gotë çaj në duar. Në fakt, e thashë gabim. Jo një mëngjes i vonë, sepse nëse jeta ime do të ishte një film, iluzioni kohor nuk do të ekzistonte. Ndoshta një mëngjes fillon kur cicërin zogu i parë, kur zhurmat e qytetit janë shurdhuese e ndoshta një tjetër nis kur ylli polar shfaqet në horizont.

Personazhi kryesor do jetonte në një qytet me një emër jo kushedi se çfarë, por me një aromë lirie që s’ka të kaluar. Një qytet me plot skuta te pazbuluara, ku sa herë ti ndihesh i lodhur nga mendimet, të mund të shkosh në një muzeum të ri e të zbulosh kuptimin e jetës në pikturat e Monet, ose edhe të ndonje artisti rruge pa emër.

Do të nisej me një tren për në askund për të zbuluar gjithçkanë. Sepse shpirti mbushet plot gjithnjë me një copëz të re. Një copëz tingulli, ngjyre, historie, fjale apo edhe një copëz tulle të vendosur pa kujdes. Sepse shpirti ka gjithnjë nevojë për universe pa kufij, që në mënyrë të çuditshme i gjen në vende jo më shumë se 100 m2. Në fakt, ndonjëherë edhe më shumë, por asnjeherë aq të mëdha sa ato galaksi ku të çon mendja kur je pranë tyre.

Por a do të kishte edhe nje princ të kaltër? Ndoshta në një jetë tjetër ,sepse në këtë fragment të shkurtër timin, që e quajmë film, e gjen princin e kaltër në çdo kalimtar, çdo të rastësishem që ka ngecur në fotografitë e shkrepura, të shpërndara kudo në atë vend që ju e quani shtëpi, por mua s’më pëlqen ta thërras të tillë. Këtë e shpjegojmë një herë tjetër. E siç po e thoja, një princ ose princeshë jo e kaltër, por shumëngjyrëshe gjendet në ndjesitë e shëtitjeve të pafunda për të mos u ndjerë më i huaj në një botë ku të gjithë i përkasin diçkaje.

Dhe pikërisht në ato sekonda,do isha zhgënjimi më i madh, sepse një ditë ata do të zbulonin që në një qytet diku aty, unë isha ndryshe. U kisha vjedhur asgjënë, që për mua ishte gjithçkaja. Isha ndryshe sepse isha e përbërë nga çdo copëz  që dikur kisha ndeshur e më kishte dhënë jetë. Kisha marrë nga luftërat dhe revolucionet, isha shkëputur nga livadhet në piktura e isha shprehur në tingujt e simfonive.

Nëse jeta ime do të ishte nje film, do të ishte e pamundur, pasi një jetë e atillë s'mund të kufizohej kurrsesi në parametrat e një hapësire apo të një kohe.


Shume dashuri per ju, Ana.
Fotografi: Sabrina Zajmi (Instagram )

0 comments:

Post a Comment