7 thesare në shkronja


Të hapësh dyert e një bote të re… Vetëm brenda një libri.

  • Vuajtjet e djaloshit Verter- Johan V. Gëte (1774)

                                                      Shtëpia botuese “Onufri”
“Vuajtjet e djaloshit Verter “është një roman autobiografik, që ka ndikuar ndjeshëm në lëvizjen romantike të asaj kohe. Është një grumbull letrash të shkruara nga Verteri, një artist i ri i mbushur me ndjeshmëri dhe pasion, drejtuar mikut të tij Vilhelm. Ato japin një pamje të qartë të shpërnguljes së tij për një jetesë në fshat, ku ndihet i magjepsur nga gjithçka aty dhe ku takon Sharlotën, por … asgjë nuk mbetet me kaq. Një ndërthurje e ndarjes klasore, familjes, lumturisë ,  letërsisë, subjektives dhe stuhisë së jetës që mbyllet e gjitha me… një fund të lumtur? Ndoshta.
“Kam shumë gjëra, por ndjenja që ushqej për të i përpin të gjitha. Kam shumë gjëra, por pa të nuk do të kisha pasur asgjë.”
“Mos vallë qenka e thënë që ajo që përbën sot lumturinë e njeriut do të kthehet nesër për të në një burim vuajtjesh? “

  • Shtëpi kukulle- Henrik Ibsen (1879)

Shtëpia botuese “Argeta-LMG”
Shtëpi kukulle është një dramë me tre akte, një vepër që luajti një rol të rëndësishëm në shekullin e 19 për shkak të qëndrimit kritik që mbante ndaj normave të shoqërisë. Femra si një qenie sakrifikuese, detyrimet familjare, liria dhe lumturia trajtohen me një mjeshtëri nga Ibsen. Një problematikë që edhe pas më shumë se një shekulli, është ende e pranishme në shoqërinë tone. Por, çfarë ndodh brenda dyerve të një shtëpie “kukulle” ku gjithçka është në dukje e lumtur?



  • Neveria- Jean-Paul Sartre (1938)

Shtëpia botuese “Fan Noli”
Neveria është një roman filozofik nga ekzistencialisti Jean Paul Sartre. Është organizuar në formë ditari të një historiani të moshuar që mundohet të gjejë te sendet dhe gjithçka që e rrethon një mënyrë për të kuptuar veten. Por ç’është neveria ? Cili është kuptimi i ekzistencës? A nuk është e gjitha një ide, një iluzion i yni? Asgjëja dhe gjithçkaja, gjendet në rreshtat e këtij libri. Dhe pse është libri im i preferuar? Aventurë, vetëm kaq po ju them.
“Duke e ndjekur me sy atë pikë të artë, mendoj se do të pranoja- edhe sikur të isha buzë vdekjes, edhe sikur të humbisja gjithë pasurinë, apo një mik- mendoj se do të pranoja të rijetoja gjithçka, në të njëjtat rrethana, nga fillimi në fund. Por, një aventurë nuk fillon nga e para e as nuk mund të zgjatet. “
“Kurrë si sot nuk e kam patur kaq të fortë ndjesinë se jam pa përmasa të fshehta, kufizuar brenda trupit tim, në mendimet e cekëta që dalin prej tij si flluska.”
P.s 108-109
182-190
265, Shënojini këto faqe, mund t’ju ndryshojnë jetën.
  • Alkimisti- Paulo Coelho(1988)

Shtëpia botuese “Toena”
Alkimisti është një roman i shkruar nga autori Brazilian Paulo Coelho. Një udhëtim për në Egjipt i një bariu të varfër që bëhet një udhëtim edhe për ne. Lidhja e ngushtë e natyrës, rreziku, frika, ëndrrat dhe çdo përvojë që na ndihmon të jemi një hap më pranë asaj që e quajmë Legjenda Vetjake.  Një dhuratë për ditëlindje që nuk ishte veçse një libër nga autori im i preferuar (Ju sugjeroj të lexoni çdo libër të tij,i adhuroj). Çfarë kishte më shumë? Ju ftoj ta zbuloni.
“Nuk ishte më një botë e huaj. Ishte një botë e re.”
“Dunat ndërrojnë formë nga era, por shkretëtira mbetet gjithmonë po ajo. Kështu do të ndodhë edhe me dashurinë tonë.”
 “Mos e mbaj mendjen te çka le pas. Nëse ajo çka gjete përbëhet nga lëndë e pastër, nuk do të kalbet kurrë. Dhe do mund të kthehesh aty një ditë. Nëse është vetëm një çast drite, si shpërthimi i një ylli, atëherë kur të kthehesh nuk do gjesh gjë. Por do kesh parë shpërthimin e dritës. Dhe vetëm kjo ia vlen barra qiranë të jetohet.”

  • Prilli i thyer- Ismail Kadare

Shtëpia botuese “Onufri”
Një kryevepër e një ndër shkrimtarëve më të mirë shqiptar, që ështe gjithashtu dhe i preferuari im, Ismail Kadare. Një roman që çdokush duhet ta lexojë pasi ofron një copëz më afër realitetit të asaj kohe ku gjithçka sillej rrotull kanunit, gjakmarrjes dhe besës. Një përshkrim i këndshëm për t’u lexuar, një vazhdimësi ngjarjesh që të rrëmben, magji mes rreshtave; të gjitha në faqet e një libri që vetëm Kadareja mund ta shkruajë me aq madhështi.
“Ndoshta duheshin vite për t’u mësuar me paqen, ashtu siç ishin dashur po aq vite për t’u mësuar me humbjen.”
“Por kryesorja nuk ishte kjo. Kryesorja ishte ajo që po ndodhte brenda tij. Dhe ajo që po ndodhte atje ishte e bukur dhe e frikshme njëkohësisht. Ai as vetë s’dinte ta thoshte ç’po i ndodhte. I dukej se zemra i kishte dalë  përtej brinjëve, qe shtrirë gjerë e gjatë përreth dhe ashtu e përhapur  siç qe, plagosej lehtë nga gjjithcka, gëzohej dhe hidhërohej fare lehtë, fyhej, dhembte, lumturohej, shkretohej nga një gjë e vogël ose e madhe, qoftë kjo flutur, gjeth, dëborë e paanë, apo shi i mërzitshëm si ky i sotmi. Të gjitha binin drejt e mbi të, stinë, qiej të paskaj zbrazeshin prore dhe ajo i mbante të gjitha, madje mund te nxinte edhe më.”
  • Lista e dëshirave të mia- Grégoire Delacourt(2014)

Shtëpia botuese “Pegi”
Një jetë e stabilizuar dhe gjithçka në rregull. Po ëndrrat ku shkuan? Dëshirat vallë u plotësuan ? Si mund ta arrijmë lumturinë? Nuk mund të kthehemi pas, por mund të bëjmë një ndryshim. Po paratë ç’rol kanë këtu?  Nëse Zhoslina do ta bëjë apo jo, si e arrin ajo dashurinë dhe lumturinë, gjithçka në romanin e Grégoire Delacourt. (P.s Edhe Zhoslina ka një blog )
“… kurse unë, le të thonë ç’të duan, kam nevojë të flas, të shkëmbej mendime; nuk jemi kafshë në fund të fundit, jo pra, kemi nevojë për shpirt.”
“Para 18 muajsh, e lëshova veten në krahët e vdekjes për të lindur një vete tjetër. Me të ftohtë, më të sertë. Dhimbja të shndërruaka në mënyrë të habitshme.”


  • Chanel, një jetë si në përrallë- Alfonso Signorini (2009)


Shtëpia botuese “Dudaj”
Chanel, një mbretëreshë e modës që u kurorëzua e tillë në një ndër epokat më të vështira të civilizimit. Por ajo nuk ishte vetëm kaq, ishte shembulli i një femre që udhëhiqej nga pasioni, dashuria, këmbëngulja, ambicia dhe besimi se gjithçka mund të arrihej. Dhe ajo i arriti. Një biografi e rrugëtimit të saj, që ishte një revolucion për të gjithë botën. I vetmi libër të cilin nuk lodhem së lexuari për të disatën here. Ah,dhe Boy Capel-i i Cocos… Nuk po zbuloj më shumë.
“Përballë jetës, Gabrielle Chanel-i s’është gjunjëzuar kurrë, por i pëlqen të përulet përballë veshjeve të veta.”
“Ka raste kur disa zgjedhje vijnë pas ndonjë dhimbjeje të fortë. Ndoshta prej ndonjë ndodhie të dhimbshme, që të shtyn ta mendosh edhe një herë nga e para krejt jetën.”


Shpërndani një foto me librin tuaj të preferuar në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, dhe përdorni hashtagun #lwaart për një surprizë në postimet e radhës.
ANA

2 comments:

  1. Faleminderit per rekomendimet Ana. Blogu eshte i shkelqyeshem.
    Love,
    T.
    https://tbymallano.wordpress.com/

    ReplyDelete
    Replies
    1. Shumë faleminderit Tatjana.Shpresoj t'ju pëlqejnë edhe librat. Përqafime, Ana.

      Delete