10 vite ëndërr


Ëndrra universale e të pasurit një jetë të qëndrueshme, një punë që e dashuron, një shtëpi të bukur dhe një familje të lumtur? Ndoshta.
Ndoshta, por këto nuk do jenë përbërësit kryesorë të ekzistencës sime pas 10 vjetësh. Të paktën, kështu mendoj tani.  E shoh veten duke jetuar në majë të një ëndrre dhe jo vetëm duke ekzistuar si të ishte një detyrë. Është e gjitha një pikturë e këndshme ku janë përhapur kudo ngjyrat e shpirtit tim dhe korniza është e artë, njësoj si kujtimet e këtij udhëtimi të gjatë.


E shoh veten duke buzëqeshur përgjatë rrugëve të qytetit, duke vlerësuar faktin se kam mundësinë ta ndjej universin aq afër meje. Të jem e aftë të kuptoj se sa magjike është gjithçka rreth meje dhe të jem e aftë të krijoj përrallën time, këto janë ato cfarë synoj. E shoh veten duke u përpjekur, duke u përpjekur ti gjej një kuptim jetës sime dhe shpresoj që atëherë ta kem kuptuar që vetëm të ecësh mbi këtë tokë është një bekim.


Natyra do jetë paqja për shpirtin tim. Do gjej lehtësim në çdo perëndim dielli dhe fuqinë për t’u ngritur sërish në çdo agim. Do lejoj lulet të më mësojnë se si të lulëzoj sërish pas dimrit të gjatë e të ftohtë. Dhe në këtë mënyrë, duke bashkëvepruar me çdo gjë të gjallë rreth meje, do kuptoj se diku aty në këtë botë kaq të ëmbël, përkas edhe unë.



E shoh veten duke dhuruar shumë dashuri dhe duke qenë e lumtur; duke qenë zemërgjerë dhe duke ndihmuar ata në nevojë. Nuk dua të përfundoj një njeri i ftohtë e me një qëllim thyerjen e zemrave.Nuk dua t’i shoh te tjerët si trofe për tu fituar apo përbindësha për tu luftuar. Dua t’i shoh ata si njerëz që janë bërë për t’u dashur e t’i vlerësoj ata po kështu.


Dua të jetoj në një botë pa luftë dhe plot paqe. Nuk e shoh veten në një vend ku armët përdoren për të ndrequr çdo keqkuptim, por përkundrazi, në një komunitet ku ndryshimet midis njëri tjetrit pranohen dhe buzëqeshja shpreh mënyrën se si ne përballemi me çdo problem që lind midis nesh. E shoh veten duke jetuar në një komunitet ku ne mbrojmë të drejtat tona dhe ngremë zërin tonë; ku meshkujt dhe femrat janë të barabartë; ku racizmi, homofobia apo çdo arsyetim tjetër paragjykues ekziston në një përqindje shumë të ulët; ku çdo njeri ka të drejtë të jetojë dhe të shprehi vullnetin e tij për ta bërë botën një vend më të mirë.


E shoh veten në një vend ku fëmijët e mi nuk do zgjedhin vetëvrasjen për shkak të presionit të shoqërisë për tu përshtatur, por ku ata do fillojnë të duan veten dhe etika e sjelljes do i karakterizojë. Dua të jetoj në atë lloj shoqërie ku ne jemi të aftë t’i mësojmë brezit të ardhshëm të vërtetat e hidhura dhe dhuratat po aq të bukura të jetës.

Dhe patjetër, që arti gjendet aty. Dua që ne të gjejmë kënaqësi në piktura,të shprehim veten në fjalë dhe melodi, të jetojmë brenda një arkitekturë të arrirë dhe të sfidohemi nga multimedia. Ndërthurja e jetës me artin do i japi shoqërisë sonë një mundësi më të mirë për të kuptuar qartazi çdo sferë të jetës. Dhe kështu, e gjitha do jetë më e këndshme se më parë.

Por, lërmëni ta shoh veten pas 10 vjetësh nga një tjetër perspektivë… Punoj si një “interior designer” ose ndoshta “web developer” . Po hedh hapat e parë të karrierës sime. E po ashtu, pranë meje ndodhet familja ime, shoqëria dhe ai që dashuroj. Jemi gjithnjë bashkë për të motivuar njëri-tjetrin të arrijmë më të mirën tonë. Gjëja më e rëndësishme është se e shoh veten si versioni më i mirë që mund të jem, gjithmonë duke kërkuar më shumë, por edhe duke pranuar të metat e mia dhe duke i dhënë vetes dashurinë që meritoj. Por fundja, këto janë vetëm pjesëza të vogla të së ardhmes sime.


Pra, siç e sheh, ndoshta unë po kërkoj më shumë se ç’duhet ose me shumë mundësi po mendon se do shkoj diku shumë larg prej këtej. Por e vërteta është se ne të gjithë mund të arrijmë atje, mund ta bëjmë këtë. Është një thesar tepër i vyer të kemi këtë jetë me çdo përbërës të sajin, kështu që secili prej nesh duhet te jetë i gatshëm të mësojë ta trajtojë në mënyrën e duhur. Çdo udhëtim i mrekullueshëm, çdo trofe i madh, cdo dashuri e magjishme nis me një vizion tepër të gjerë dhe me një ide të çmendur.


Dhe ndoshta, pas 100 vjetësh, ata mund ta quajnë planetin e dashurisë, ku unë e ti kishim një ëndërr të marrë.

 ANA

PHOTOGRAPHY BY: DIONA ÇEÇO
 INA LIMANI
NICOLE STAROVA 
AND ME 


0 comments:

Post a Comment