Bota e paradokseve në lulëzim

Photography by Marta Bevacqua
Jo gjithmonë domethënë...Shpesh...Ndonjëherë...Rrallë... Vetëm për disa çaste...




Është si të jesh një lule në një kopsht mes plot të tjerave. Nuk je trëndafil, as zambak, po diçka tjetër (le t’i lëmë detajet e parëndësishme). Dhe ti lulëzon kur vjen pranvera. Dhe je e bukur, tmerrësisht e bukur. Plot me ngjyra, plot me paradokse. Ke nevojë për përkujdes të vazhdueshëm, sepse përndryshe lëndohesh dhe nga vetë gjëmbat e tu. Jo, nuk vdes, por e humbet aromën dhe hijeshinë e mëparshme. Edhe në qoftë se kopshtari nuk të viziton e të ujit përditë, përsëri do jesh një lule e bukur. Por, të gjithë e dimë se do të shkëlqeje më shumë nëse ai do të të dhuronte pak dashuri. Do ketë edhe disa ditë, kur dielli nuk do të shndërrijë si përherë. E janë pikërisht këto ditë, në të cilat ke më shumë nevojë për të, që të mos ndihesh e vetmuar apo e pavlerë.
Photography by Diona Ceco

Po ashtu, nuk ke as shumë vizitorë. Ata kërkojnë trëndafilat, megjithëse bukuria e tyre nuk zgjat. Disa të tjerë zgjedhin ato artificiale, ato qëndrojnë përgjithnjë. Por më thuaj, ku qëndron bukuria kur nuk ka lulëzim momentesh? Ku qëndron bukuria kur gjithçka është e sigurt dhe e papritura nuk të jep kënaqësi?

Por pavarësisht këtyre, është edhe diçka tjetër. Është ai admiruesi që ndihet sikur bukuria e pikturës së botës nuk mjafton. Ai vjen ulet te stoli i qoshes ku ti je vendosur. Është një qoshe e humbur (si të ndodhte ndryshe), por ai e gjen bukurine edhe aty. Jo gjithmonë domethënë... Shpesh... Ndonjëherë... Rrallë... Vetëm për disa çaste ama, përpara se të rikthehet te njeriu i zakonshëm që adhuron trëndafilat. Por ato momente, ty të mjaftojnë që të kryesh fotosintezën derisa ai të vijë përsëri pas disa kohësh... Pas shumë kohësh...
Photography by Diona Ceco

Është një botë me paradokse. Ti e di shumë mirë që ai adhuron lulet, por përsëri shpreson që ai të gjejë kënaqësi edhe në qoshen tënde. Ti e di që ai nuk vjen më aty (nuk është se ai vinte për ty gjithsesi, lëri fantazitë), por gjithsesi ti vazhdon e prodhon oksigjen për të. Vazhdon të presësh kopshtarin që të vijë çdo mëngjes në mënyrë që të jesh po aq e bukur sa meriton. Ti e di që ai nuk do te vijë më, asnjëherë nuk vinte... Por gjithsesi, ti tashmë je mësuar me idenë e të qënit lulja e tij në këtë botë të vranët.
Photography by Diona Ceco

Ti je përsëri një lule, edhe në qoftë se kopshtari nuk kujdeset çdo ditë për ty, edhe në qoftë se vizitorët nuk të vënë re. Po, po, je përsëri një lule.
Edhe pa vizitorin tënd të preferuar, ti mbetesh përsëri një lule... por jo më aq e bukur. Përsëri një lule, por jo lulja e tij e qoshes së humbur.
Ti mbetesh përsëri një lule sidoqoftë, kështu që gjithçka do të shkojë mirë.

0 comments:

Post a Comment