Vija paralele e lumturisë

                                                       

                       Dhe përgjigjen, si një ironi të fatit, e gjen në sytë, në shikimin e një të huaji.


Gjithçka nis me një ëndërr, me një dëshirë për hyjnoren. Vetë ne jemi copëza udhëtimesh të shtrenjta, udhëtimesh të papërfunduara, qoftë edhe të ëndërruara. E lumturia, lumturia që gjithkush kërkon si i etur, është një udhëtim i gjatë me të papritura e rrëzime. E për mua, ishte një udhëtim me atë.

Nisi me një humnerë trishtimi, me një botë të vakët. Nisi në një ndër ato momentet në jetë kur je i zhytur thellë në gëzofin e së përditshmes dhe papritmas mendon: “ Po atje tej çfarë ndodhet vallë? “ Dhe përgjigjen, si një ironi të fatit, e gjen në sytë, në shikimin e një të huaji. E kujt ia priste mendja?

Udhëtimi ishte me atë, por do të ishte më me vend të përshkruaja veten, lumturinë time pranë tij. Universi punon vazhdimisht për ne, për momentim sublim të të ndjerit i plotë. Në pikturë, filluan të shfaqen ngjyrat, emocionet... Kuptova se gjithçka më parë kishte qenë thjesht korniza. Unë isha një galaksi ku në çdo cep timin ishte një yll, një yll që merrte frymë me përpjekjen për të ndriçuar qenien time. E gjithë këtë kohë, thjesht kisha harruar të hapja perdet e të lija dritën të hynte.

Shumë mendojnë se ky ishte udhëtimi im e që po e mbivlerësoja praninë e tij. Jo, nuk ishte thjesht një spektator më tepër. Ishte ai që më mori prej dore e me një shikim ngrohtësie më tregoi atë botë të paprekur më parë, lumturinë. Më mësoi të dashuroja çdo gjë rreth meje, çdo lule, çdo cicërimë, çdo pikë shiu. Mbi të gjitha më mësoi të dua çdo qelizë të kësaj që sot jam unë.


Çdo hap i hedhur me frikë, nga ana tjetër kthehej në një përqafim siguie. Çdo rënie e kthesë 360 gradë ishte një udhëtim mbi retë e dashurisë. E këtë, unë s’do ta quaja një vizitor kalimtar. Thjesht s’mund të jetë i tillë.

Një udhëtim nga ata të ëndërruarit, një udhëtim ende i papërfunduar, ende në vazhdim. Ishte një udhëtim pa tregues kohorë, pa vendndodhje. Ishte një udhëtim përtej arritjeve të njeriut në Hënë. Ishte udhëtimi që më krijoi mua. Ishte Udhëtimi me atë.
                      
                                          Pa tregues kohorë, pa vendndodhje...
                                                                                                                                      Ana.
            

0 comments:

Post a Comment